KQZ pret që të premten të përfundojë procesi i rinumërimit

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha për RTV21 se KQZ pret që të premten të përmbyllë procesin e rinumërimit, për të vazhduar më pas me shpalljen e rezultateve përfundimtare, varësisht nga koha se kur do të përfundojë ky proces.
“Në QNR janë rinumëruar pjesa më e madhe e vendvotimeve pra 34 komuna dhe kanë mbetur 4 komuna për tu rinumëruar. Besojmë që i gjithë procesi i rinumërimit të përfundojë ditën e nesërme e premte… Sa i përket asaj se kur do të shpallen rezultatet varet nga momenti se kur do të përfundohet rinumërimi i gjitha vendvotimeve pra nëse kjo do të bëhet menjëherë brenda disa orëve apo nëse duhet më shumë kohë deri të shtunën…”, tha Elezi.
Ndryshe, KQZ nga procesi i rinumërimit gjeti se dhjetëra mijëra vota brenda llojit u manipuluan duke ndikuar kështu drejtë për drejtë në rezultatet zgjedhore. Për pasojë qindra komisionerë dhe vëzhgues zgjedhor u morën në pyetje nga prokuroria e shtetit, për një numër prej tyre u caktua edhe masa e ndalimit.