Abdixhiku zyrtarisht ofron dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së

(Lajm i përditësuar)
Abdixhiku zyrtarisht ofron dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ofrur dorëheqjen e tij nga postimi i kryetarit të partisë para Kuvendit të LDK-së.
Në fjalën e tij para delegatëve, Abdixhiku ka theksuar se ky hap vjen si obligim moral pas rezultatit zgjedhor dhe si formë e ballafaqimit me pritjet, zhgënjimin dhe të ardhmen e partisë.
“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, ka deklaruar Abdixhiku para delegatëve.
Abdixhiku: Rezultati i LDK-së është përgjegjësi e imja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po vazhdon fjalimin e tij në Kuvendin e LDK-së të thirrur për të shqyrtuar dorëheqjen e tij. Abdixhiku ka thënë se në demokraci është thelbësore që ta kesh edhe shumicën.
Sipas tij, nëse nuk e ke shumicën, atëherë fjala mbetet vetëm zhurmë.
“Vendimi i shumicës nuk e shuan mendimin ndryshe”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku tha se gjithmonë kryetari i LDK-së ka qenë i synuar për shkak të demokracisë së kësaj partie.
“Të jesh subjekt konstant i diskutimit publik je edhe tabelë qitje. Dhe në këtë tabelë qitje, më shumë se gjithçka tjetër do të synohet natyrisht lidershipi. Sepse në LDK-në demokratike, si në asnjë parti tjetër, pika më e ndryshueshme, nuk është programi, nuk është orientimi, nuk janë vlerat, por është prijësi. Prijësi në LDK është i ndryshueshëm, prandaj LDK-së gjithmonë i goditet fillimisht prijësi. Sepse kur e godet prijësin e vë gjithë partinë në mbrojtje. Dhe kur një parti ndërrohet vazhdimisht ajo nuk ndërton më, ajo vetëm përpiqet të mbijetojë. Gjatë pesë vjetëve të fundit dhe jo vetëm, edhe për të tjerët para meje, kryetari i LDK-së është goditur pa hezitim, jo sepse ka qenë i lig, jo pse ka qeverisur keq apo ka bërë ndonjë problem të madh kombëtar, por sepse është kryetari i LDK-së i goditshëm, i ndryshueshëm, i ekspozuar”, deklaroi ai.
Abdixhiku u shpreh se problemi s’ka qenë me të.
“Ta bëjmë të qartë, problemi s’ka qenë dhe nuk është me mua si Lumir, të jeni të sigurt se në momentin që nuk jam kryetar i LDK-së do të jem i njëjti njeri me të njëjtin integritet e pastërti profesionale e personale. Problemi gjithmonë ka qenë me kryetarin e LDK-së dhe rrjedhimisht me secilin prej jush. Me secilin prej jush që merr përgjegjësi në këtë shtëpi”.
Sipas tij, ata që nuk respektojnë vullnetin e shumicës, “ndoshta s’duhet të kenë vend në Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
“Kush nuk respekton vullnetin e një shumicë, fundja ndoshta s’duhet të jetë pjesë e kësaj familje. Nuk mund t’ia marrësh të mirat e partisë e të mos japësh kontribut në anën tjetër”, ka thënë Abdixhiku.
Hapet Kuvendi, Abdixhiku: Rezultati i LDK-së është përgjegjësi e imja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij hapës në Kuvendin e LDK-së, tha se këtë Kuvend e ka mbledhur vet, pa pritur të bëhen zhurma.
Ai deklaroi se nata e zgjedhjeve nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përpjekjeve, mundit e sakrificës të shumë njerëzve që pesë vitet e fundit pamë teksa shembeshim para syve.
“Jemi mbledhur këtu në këtë Kuvend sepse kështu e kërkon përgjegjësia, kështu e kërkon LDK. Ky Kuvend nuk më është mbledhur, e kam thirrur dhe mbledhur vet, nuk kam pritur të bëhet zhurma dhe as të jepen ultimatume që u bën gjithsesi.
“Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë”.
“Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”,
Abdixhiku: Sot, me demokraci e përcaktojmë fatin tonë politik
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para Kuvendit të Punës ka thënë se sot pret debat e diskutime dhe siç tha të dalë një LDK më e fortë.
Ai tha se Kuvendi si organi më i lartë i partisë do të vendos për çdo gjë.
“Mirë se vini ne demokraci, do të doja këtë ditë ta shënojmë më maturi, le të jetë ky një standard i mirë, i mbarë jo vetëm për LDK-në por për të gjitha partitë e tjera. I siguroj të gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga kjo ditë do të dalim më të unifikuar për të ardhmen që na pret. Me demokraci e përcaktojmë fatin tonë politik”.
“Nga ky debat, do të dalim më të unifikuar, më të fortë, ka debat, ka disktuime, flasim për LDK, për të ardhmene e Kosovës dhe me shumicë votash e përvcaktojmë fatin tonë politik”.
“Është Kuvendi, organi më i lartë, ka të drejtë të vendos çdo gjë, do të kem një fjalim, dhe më pas Kuvendi vendos. Unë kam bërë gjënë më fisnike, dhe ia kam lënë anëtarësisë të marrë vendim pa asnjë presion politik”, tha Abdixhiku.
Tutje ai tha se pasi të mbajë fjalën, Kuvendi i Punës do të merrr vendime për të proceduar tutje.
Selmanaj: S’e kemi të qartë agjendën e plotë, kjo s’është shenjë e mirë
Zyrtari i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për media para nisjes së Kuvendit të LDK-së ku pritet të marrë epilog çështja e drejtimit të partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Selmanaj ka thënë se ende nuk e kanë të qartë agjendën e plotë të Kuvendit, meqë s’dihet se nëse do të procedohet me votëbesim apo nëse do të shqyrtohet dorëheqja e Abdixhikut.
Sipas tij, kjo nuk është shenjë e mirë.
“Ende s’e kemi të qartë agjendën dhe kjo nuk është shenj e mirë, sepse ende nuk e dimë nëse do të vendoset për votëbesimin apo shqyrtim të dorëheqjes që është antistatutare nëse hyjmë në atë cikël, meqë statuti nuk parasheh diskutime”, ka thënë ai.
Gashi: Do ta respektojmë rezultatin që del nga votëbesimi
Ai ka theksuar se LDK-ja do ta ruajë unitetin edhe pas këtij Kuvendi.
“Demokracia do të triumfojë, jam i bindur në LDK dhe do të ruhet uniteti, vizioni dhe e përbashkëta në LDK do të ruhet shpresa, angazhimi dhe përkushtimi dhe bashkëarisht do të japim më të mirën Kosovës”, u shpreh ai para mediave.
“Mbetet të diskutohet ajo, por unë mendoj personalisht, orientalisht duhet ti lihet kohë një kuvendi të ardhshëm pas dita javësh i cili atëherë do të përgaditet dhe të mbahet për të zgjedhur kryetar tjetër ose mund të vendoset të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme në parti”.
LDK vendos sot për liderin e ri ose mandat tjetër për Abdixhikun
Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të mbajë Kuvendin e punës ku pritet që kryetari Lumir Abdixhiku të kërkojë votëbesimin e delegatëve pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kuvendi fillon punimet nga ora 12:00, ndërsa LDK tha se mediat mund të përcjellin fjalën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e pastaj do të lirojnë sallën.
Po ashtu, u tha se pas Kuvendit do të ketë deklarim.
Ditë më parë, Abdixhiku ka deklaruar se kjo e shtunë do të vendosë për “drejtimin e shtëpisë sonë”.
“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”, kishte thënë ai.
Ndërkaq, nënkryetari Avdullah Hoti, ka bërë publike se pas dorëheqjes së Abdixhikut, në Kuvendin e nesërm do të kërkojë besimin e delegatëve për t’i prirë LDK’së.
“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte thënë Hoti në njoftimin e tij për kandidim.
Hoti u zotua të marrë “barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.
“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”.
Dorëheqjen e Abdixhikut nga posti i të parit të partisë e ka kërkuar edhe Hykmete Bajrami, e cila vetë dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares si reflektim për rezultatin zgjedhor dhe po të njëjtën kërkesë ia kishte drejtuar edhe shefit të partisë.
Abdixhiku në natën e zgjedhjeve kishte pranuar se nuk e kishte dërguar partinë në vendin që ka synuar dhe s’e kishte përjashtuar as dorëheqjen si opsion, por kishte thënë se ky vendim do të merrej në Kuvendin që do të mbahet sot.