Kurti “dakordohet” me Osmanin për postin e presidentit?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka gjetur shkelje kushtetuese në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq, të cilin e kishin favorizuar deputetët e LVV-së, për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka qartësuar gjithçka. Kurti tha se pret vendimin e plotë për të marrë një qëndrim nëse do ta respektojnë apo jo. Megjithëse nuk ka hezituar që ta përsërisë se nuk e ka telashe formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit, Kurti ka kërkuar bashkëpunim me ish-opozitën për t’i siguruar 80 vota të nevojshme për tejkalimin e sfidës së zgjedhjes së presidentit dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e Qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem. Por, për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi dakorduar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë.”

Por, PDK vazhdimisht e ka kritikuar LVV-në për shkelje kushtetuese gjatë seancave konstituive, duke dhënë edhe sinjale se nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente. Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, tha se duhet të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen. Ju e dini se mbarëvajtja e seancës konstituive dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit, i cili është nga LVV-ja, dhe është kompetencë e tij që ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës në përpikëri. Në traditën politike të PDK-së nuk ka ndodhur të mos respektohen vendimet e Gjykatës. Prandaj them, në emër të PDK-së, se çdo vendim do të respektohet.”

Në LDK ende nuk kanë një qëndrim zyrtar nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente apo ndonjë kandidat që vjen nga LVV-ja për këtë post. Por ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, tha se deputetët e LDK-së nuk duhet të kenë votë për Osmanin, pasi, siç tha ai, presidentja e ka shndërruar Presidencën në zyrë të LVV-së.

“Një pjesë e madhe e deputetëve të LDK-së janë deklaruar se nuk e votojnë zonjën Osmani për shkak të dëmeve që ka shkaktuar dhe për faktin se e ka shndërruar institucionin e Presidencës në një zyrë të LVV-së. Vota për zonjën Osmani ka qenë gabim dhe do të jetë gabim nëse votohet sërish. LDK-ja ka bërë gabime deri më tani në të bërit opozitë. Ka qenë gabim katastrofal votimi për nënkryetarin Nenad Rashiq. LDK-ja duhet ta rishikojë mënyrën e të bërit politikë. Unë nuk jam që të votohet zonja Osmani, sepse ajo ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme politike.”, tha Grainca për RTV21.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, ka gjetur shkelje kushtetuese në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Në seancën e 10 tetorit të vitit të kaluar ishte zgjedhur nënkryetar Rashiq, i cili kishte marrë mbështetjen e LVV-së dhe të një pjese të deputetëve të LDK-së. Nëntë kandidatët e Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit nuk kishin arritur t’i siguronin votat e e nevojshme për shkak se nuk ishin mbështetur nga deputetët e partive shqiptare./RTV21/21Media

Back to top button