​Mungesa e infrastrukturës, federatat sportive po derdhin mijëra euro jashtë Kosovës

Mungesa e një infrastrukture sportive të mirëfilltë vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballen federatat sportive në Kosovë. Edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, sportistët kosovarë detyrohen të zhvillojnë përgatitjet jashtë vendit, duke rritur ndjeshëm shpenzimet dhe duke kufizuar mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm.

Përfaqësues të federatave të ndryshme vlerësojnë se një qendër e përgjithshme sportive do të ishte zgjidhje afatgjatë, si për aspektin financiar, ashtu edhe për rritjen e cilësisë së sportistëve.

Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli, vlerëson se Kosova posedon potencial të madh natyror për përgatitje sportive, por mungesa e një qendre të përbashkët i detyron federatat të shpenzojnë mjete të konsiderueshme jashtë vendit.

“Na presin shumë gara këtë vit dhe po të kishim një infrastrukturë Kosova ku kemi si Brezovicën, e kemi Rugovën, i kemi pishat e Sllatinës, kemi Gërminë, të kemi një qendër të përgjithshme sportive ku ne përgatitjet t’i bëjmë në Kosovë, ku ne edhe pse i marrim financimet nga federata, nga ministria marrim paratë, pse me t’i dërguar paratë në shtete të tjera kur mundemi ato para t’i lëmë në shtetin tonin dhe t’i bëjmë përgatitjet në shtetin tonë. Dhe është keq që 25-26 vjet të mos e kemi në Kosovë një qendër sportive ku në çdo shtet si Bullgaria, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, kanë qendra sportive sidomos për boksierët e tyre dhe organizojnë kampe ndërkombëtare”, thekson Demolli.

Demolli gjithashtu vë në pah se rritja e vazhdueshme e çmimeve të akomodimit dhe shpenzimeve tjera në Evropë, po e vështirëson organizimin e kampeve përgatitore jashtë vendit. Si pasojë, federatat janë të detyruara të reduktojnë numrin e sportistëve që marrin pjesë në këto përgatitje.

“Siç shihet çdo vit janë duke ngritur çmimet e hoteleve në Evropë. Dhe në qoftë se ke paguar një hotel vitin e kaluar 50 euro, sot është 80 euro, do të thotë është diferencë e madhe. Për atë arsye edhe numrin e sportistëve të cilët kanë cilësi sportive që meritojnë të shkojnë në këto kampe përgatitje, por nuk kemi mundësi financiare për arsye se duhet menduar tërë vitin ku kemi gara evropiane, botërore. Për atë arsye duhet të mendojnë selektorët të bëjnë një përzgjedhje sa më të ngushtë për shkak të financimit”, bën të ditur Demolli.

Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi, thekson se për shkak të mungesës së infrastrukturës që i plotëson standardet, përgatitjet janë zhvilluar herë pas here në shtete të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Ai nënvizon se federata ka tentuar të krijojë kushte minimale brenda vendit, por buxheti i kufizuar nuk lejon organizim më të shpeshtë të stërvitjeve cilësore.

“Kur infrastruktura jonë nuk i plotëson kriteret, ne kemi mbajtur stërvitje edhe në Ulqin, kemi mbajtur stërvitje edhe në Maqedoninë e Veriut, kemi mbajtur stërvitje edhe në shtete të tjera me bashkëpunimet që i kemi bërë, si në Kroaci, në Hungari e të tjera. Por ne jemi koncentruar më shumë për të krijuar kushte sado minimale e më shumë t’i dërgojmë që buxheti t’i përballojë, t’i mbajmë këtu, të përgatitemi këtu. Sikur të kishim një infrastrukturë të mirëfilltë, edhe s’do të kushtonte shumë stërvitja, edhe do të mbanim stërvitje më shumë. Por ne jemi të kufizuar për shkak të buxhetit, normalisht, që këto t’i mbajmë vetëm para garave të mëdha edhe të mbajmë stërvitje pastaj në disa kushte jo të mira për sportistët”, thekson Gashi.

Ndërsa, kryetari i Federatës Skitare, Milam Kelmendi, vlerëson se mungesa e infrastrukturës ka ndikuar drejtpërdrejt në stagnimin e numrit të sportistëve elitarë në Kosovë. Sipas tij, pa investime serioze në objekte dhe kushte adekuate për përgatitje, Kosova do ta ketë të vështirë të rrisë numrin e garuesve në ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

“Infrastruktura është ajo e cila e ka penalizuar qysh nga mbarimi i luftës edhe deri tani që Kosova të ngecë vetëm me dy sportista. Kështu që nëse na bëhet infrastruktura e mirëfilltë si duhet në Kosovë, atëherë besoj që do të kemi më shumë garues prezent nëpër olimpiadat e radhës”, theksoi Kelmendi.

Drejtuesit e federatat sportive theksojnë se ndërtimi i një infrastrukture moderne sportive nuk është vetëm nevojë e sportistëve, por edhe investim strategjik për të ardhmen e sportit dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare./kp

Back to top button