​Jahjaga mohon çdo lidhje me dosjen “Epstein”

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.

Në një postim në Facebook, Jahjaga ka theksuar se gjatë gjithë jetës dhe karrierës së saj institucionale nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Ajo ka sqaruar se përmendja e emrit të saj nga disa media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila, sipas saj, nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me të.

Jahjaga ka theksuar se emri i saj nuk figuron në asnjë dokument të publikuar.

“Në këtë email të palëve të treta përmendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë se për cilin president bëhet fjalë dhe nuk përmendet asnjë kërkesë për takim në emër të tij apo të saj”, ka theksuar ajo një postim në Facebook.

Ish-presidentja ka vlerësuar se çdo raportim ndryshe përbën insinuatë dhe mashtrim të opinionit publik, gjë që, sipas saj, mund të vërehet lehtësisht nga dokumentet e publikuara.

Jahjaga ka kërkuar që ky sqarim të publikohet nga të gjitha mediat që kanë përmendur emrin e saj, duke ritheksuar se nuk e ka njohur, nuk e ka takuar dhe nuk ka kërkuar asnjëherë takim me personin në fjalë, në asnjë pozitë që ka mbajtur deri më tani.

Ndryshe, në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përfshihen rreth tre milionë faqe shtesë dokumentesh, së bashku me rreth 180 mijë video dhe imazhe.

Back to top button