ZRRE po shqyrton kërkesat për shtrenjtim të rrymës!

Një bllok i Termocentralit ra nga sistemi për shkak të, siç njoftoi KEK, rrjedhjes së ujit nëpër gypa. Heqja nga puna e Bllokut A5 uli edhe nivelin e prodhimit vendor të energjisë duke shtuar nevojën për blerjen e tij në tregun ndërkombëtar. Puna e termocentraleve u vështirësua që nga fillimi i vitit duke rritur importin por njëkohësisht duke shtuar kërkesat e operatorëve të energjisë për shtrenjtimin e rrymës. Zyra e Rregullatorit për Energji elektrike tha se është në proces të shqyrtimit të kërkesave të tyre, duke mohuar njoftimet paraprake se nuk do të ketë shtrenjtim.
“Informacioni i shpallur lidhet me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe konfirmimin e tarifave për vitin 2026, të cilat do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën paraprake. Ky vendim nuk ka të bëjë me tarifat për operatorët e tjerë të energjisë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, të cilat janë ende subjekt i një procesi të rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale.”
Kërkesat u mblodhën ditë më parë dhe operatorët kërkuar sipas njoftimeve të pakltën 20 për qind të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Një vendim i ZRrE pritet të merret në muajin mars. Paralajmërimet për një shtrenjtim tjetër të energjisë elektrike kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët.
“Mjerimi ndryshe nuk është, t’i këqyri të ardhurat njëherë pastaj vepro”, tha një qytetar.
“Mirë nuk është eeh”, tha qytetari tjetër
“E shtrenjtojnë çka kena me ba…”, tha një tjetër qytetar
Të paktën 4 herë është shtrentjuar energjia elektrike në Kosovë që prej vitit 2022. Herën e fundit rryma u shtrenjtua vitin e kaluar me 16.1%. Rëniet e blloqeve të Termocentralit, sipas ekspertëve të energjisë, për 24 orë i kushtojnë Kosovës minimalisht 200 mijë euro blerje rryme. Në këtë situatë drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti ngriti alarmin se rënia e blloqeve detyrimisht do ta shtrenjtoi rrymën për të gjithë konsumatorët.
“Sepse rëniet e blloqeve i marrin si arsyetim, ZRRE nuk ka fare debat publik nuk është fare i hapur dhe tjetra ne i shohim akuzat me KOSTT-it dhe KESCO-s. Para dite KOSTT fajson KESCO-n pasdite KESCO fajson kostt dhe krejt këto bahen që nfund të shtrenjohet rryma…”, tha Ahmeti.
Në pesë vitet e fundit Kosova thuhet se ka blerë energji elektrike mbi 800 milionë euro. Sipas të dhënave të doganës për vitin 2025 Kosova bleu rrymë edhe nga Serbia në vlerë prej 3.2 milionë euro. Njohësi i çështjeve të energjisë, Lulzim Syla thotë se importi i rrymës rrezikon të reflektojë në faturat e konsumatorëve, por sipas tij, ZRRE nuk do duhej që të ndërmerrte vendim për shtrenjtim të rrymës pa një analizë lidhur me ndikimin e shtrenjtimit.
“ Duhet të bëhet një analizë me shumë detaje makroekonomike sa i përket gjendjes reale ekonomike në Kosovë sepse nuk do të duhej të merrej një vendim i ngjashëm me atë të vitit të kaluar…, tha Syla.
Me shtrenjtimin e rrymës prej 20%, tarifa deri në 800 kWh do të shkonte nga 9.05 në 10.86 cent/kWh, ndërsa mbi 800 kËh nga 15.43 në 18.52 cent/kWh. Që i bie se një faturë me 600 kilovat të shpenzuara nga rreth 50euro sa vjen aktualisht do të shkonte në 65 euro, ndërsa me mbi 1 mijë Kilovat të shpenzuara nga një faturë prej rreth 100 euro do të shkonte në një faturë prej rreth 130 euro./RTV21/21Media