Obliqi dhe Peja cak i hetimeve për “vjedhje votash”

Cak i hetimeve të prokurorisë për manipulim votash, dje ishin Komuna e Obiliqit dhe e Pejës. Në Obiliq u intervistuan dhjetëra të dyshuar, të cilët më pas u liruan në procedurë të rregullt. Intervistim e po ashtu pati edhe në Pejë.

Sipas Prokurorisë, në komunë e Obiliqit gjatë rinumërimit janë evidentuar dallime të konsiderueshme në rezultatet e disa kandidatëve për deputet. Prokuroria bëri të ditur se pas marrjes në pyetje, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit’, thuhet nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me  Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Në Obliq, pas procesit të rinumërimit kandidatit të LVV-së për deputet Gazmend Hoxha, iu hoqën 362 vota, kandidates Adelina Grainca 295 vota ndërsa 106 vota iu hoqën edhe Enver Dugollit. Ndryshime në vota pësuan edhe partitë e tjera. Ndërkohë hetime nisën edhe në komunën e Pejës.

Edhe në komunën e Pejës nga procesi i rinumërimit më së shumti dallime u gjetën tek lista e kandidatëve për deputetë të LVV-së. Për manipulime me vota, prokuroria e shtetit deri më tani ka marrë në pyetje qindra komisionerë dhe vëzhgues zgjedhor.

Në paraburgim kanë përfunduar dhjetëra prej tyre, 28 nga komuna e Prizrenit e 15 nga komuna e Malishevës.
Lidhur me manipulimet me vota, aksione policore pati edhe në komunën e Mitrovicës ku të paktën 34 persona u ndaluan nga prokuroria për 48 orë.

Prokuroria e shtetit ka bërë të ditur se objekt i hetimeve do të jenë edhe kandidatët që përfituan nga këto dallavere.
Megjithatë, për tu vërtetuar një gjë e tillë po shihet si tejet e vështirë nga ish-kryetar i gjykatës së apelit Hasan Shala.

“Po do të jetë shumë e vështirë me u vërtetu ajo dhe do të merr kohë sepse nuk besoj që deputeti ka kërku direkt nga komisionerët manipulimet me vota. Por e rëndësishme është që faktet janë dhe duhet të pritet sepse siç thotë populli nëse pitja është hanger tepsia ka mbetë kështu që duhet të pritet”, tha Shala.

Ndonëse u shpërfaqën mijëra vota të manipuluara, vetëm Fikrim Damka nga partia turke humbi mandatin. Damkës iu hoqën 89 vota, ndërsa vendin e tij e zuri kandidati për deputet nga kjo parti Ergul Mazrek./RTV21/21Media

Back to top button