Gjuajtje me armë mes dy veturave në Kaçanik: Arrestohen dy persona, i dyshuari gjendet mbi kulmin e shtëpisë

Dy persona janë arrestuar mbrëmë në Kaçanik, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës.
Në Polici ishte raportuar fillimisht për një shkëmbim zjarri në mes të dy veturave, por që në vendin e ngjarjes Policia thotë se nuk është gjetur asnjë dëshmi. Rreth dy orë më vonë, policia ka gjetur një veturë të braktisur e të vetëaksidentuar, ku vrima dyshohej se ishte nga arma e zjarrit.
Policia ka arrestuar një grua e cila ka deklaruar se i dashuri i saj ka shtënë me armë zjarri në drejtim të disa shtëpive të panjohura dhe se aksidentalisht ka plagosur veten. Ajo është dërguar në mbajtje për deklarim të rrejshëm.
Ndërkohë, i dyshuari ishte fshehur mbi kulmin e shtëpisë së tij, prej ku ka zbritur më pas dhe është arrestuar nga Policia, ndërsa kallashi që dyshohet të jetë përdorur në rast është konfiskuar.
“Kaçanik 04.02.2026-20:15. Është raportuar për një shkëmbim zjarri në mes të dy veturave. Në vend të ngjarjes menjëhere kanë dalur njësitet policore, por nuk është gjetur asnjë dëshmi. Pas veprimeve hetimore rreth orës 21:40 eshte hasur një veturë e braktisur e cila ishte vet-aksidentuar, ku vërehej se ka vrima dyshohet nga arma e zjarrit. Lidhur me rastin është arrestuar një dëshmitare femër kosovare e cila ka deklaruar se i dashuri i saj i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të disa shtëpive të panjohura dhe aksidentalisht ka plagosur veten. Përderisa njësitë policore ishin në kërkim të dyshuarit , i njëjti ishte verejtur mbi kulmin e shtëpisë se tij dhe kërcënonte për të kryer vetëvrasje, ku menjëherë eprori policor ka negociuar me të dyshuarin dhe pas negociatave i dyshuari bindet të zbres dhe arrestohet, e me pas me vendim te prokurorit dërgohet ne mbajtje, ndërsa arma e zjarrit AK-47 që dyshohet të jetë përdorur në rast është konfiskuar. Në konsultim me prokurorin edhe deshmitarja e cila dyshohet se kishte deklaruar rrejshem dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.