Dy të vdekur pasi një veturë goditi turmën në Leipzig

Dy njerëz kanë mbetur të vdekur dhe mbi 20 të tjerë u lënduan, pasi një veturë u fut në turmën e njerëzve në qytetin lindor gjerman, Leipzig, të hënën pasdite, raporton BBC.
Kryebashkiaku i Leipzigut, Burkhard Jung, tha se autori i dyshuar – për të cilin autoritetet kanë konfirmuar se është një shtetas gjerman 33-vjeçar – u arrestua. Jung shtoi se autoritetet nuk ishin ende të qarta për një motiv.
Policia konfirmoi se një makinë kishte goditur disa persona në zonën qendrore Grimmaische Straße përpara se të largohej. Autoritetet thanë se 22 persona u plagosën, përfshirë tre rëndë.
Michael Kretschmer, kreu i shtetit të Saksonisë, pjesë e të cilit është edhe Leipzig, tha se i dyshuari vuante më parë nga sëmundje mendore.
“Jemi plotësisht të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Një burrë ka drejtuar makinën me shpejtësi të lartë në zonën tregtare. Aktualisht po mbajmë zi për dy të vdekur, tre persona me lëndime të rënda dhe shumë të tjerë që janë plagosur”, tha Jung.
“Është e pamundur të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar këtë masakër të tmerrshme.”
Zëdhënësja e policisë së Lepzigut, Susanne Luebcke, tha se rreth orës 17:35 (15:35 GMT) “një person drejtoi një automjet përmes Augustusplatz në rrugën Grimmaische, duke vazhduar përtej tregut”.
“Disa persona u plagosën në incident. Fatkeqësisht, duhet të raportojmë edhe dy viktima”, shtoi ajo.
“Po flasim për një rast të një sulmi të dhunshëm. Po punojmë me supozimin se ky ishte akti i një autori të vetëm dhe aktualisht nuk kemi indikacione se ende ekziston një kërcënim për sigurinë publike.”
Zyra e prokurorit publik të Leipzigut konfirmoi se të ndjerit ishin një grua 63-vjeçare dhe një burrë 77-vjeçar, të dy shtetas gjermanë.
Thuhet se po hetohet i dyshuari për vrasje dhe tentativë vrasjeje, dhe se nuk ka “asnjë bazë mbi njohuritë aktuale” që të sugjerojë se kishte një motiv fetar ose politik të përfshirë.
Një dëshmitare okulare, Susi, i tha Radio Leipzig se ajo ishte me shoqen e saj në një stol në Grimmaische Straße në kohën e incidentit.
“Dëgjuam një shpërthim të fortë”, tha ajo, duke shtuar se shoferi po ecte “shumë shpejt”.
Susi dhe shoqja e saj u strehuan në një dyqan bizhuterish aty pranë. Kur dolën nga dyqani, ajo tha se pa njerëz të plagosur të shtrirë përtokë.
Një tjetër dëshmitar okular i tha të njëjtës media se makina u ndal te disa shtylla dhe një grua ra nga çatia e një makine. Ata thanë se kalimtarët shkuan për të dhënë ndihmën e parë dhe rreth 15 persona u mblodhën rreth makinës për të kapur shoferin dhe u përpoqën ta tërhiqnin jashtë përmes një dritareje të hapur.
Dëshmitari okular tha se shoferi u përpoq të shpëtonte përmes dritares së pasagjerit, por policia mbërriti në vendngjarje dhe ia siguroi duart me litarë kabllosh.
Kujtojmë se në Gjermani raste të ngjashme me makina kanë ndodhur gjatë viteve të fundit.
Në dhjetor 2024, të paktën gjashtë persona u vranë dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën pas një sulmi në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg .
Kurse në shkurt të vitit të kaluar, të paktën 30 persona u plagosën kur një makinë u përplas me një turmë njerëzish në Mynih, më shumë se një javë para zgjedhjeve federale të vendit.