KQZ certifikon sot rezultatet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të certifikojë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke i hapur rrugë konstituimit të institucioneve të reja.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka njoftuar se mbledhja e radhës e komisionit mbahet sot, e hënë, 9 shkurt 2026, në ora 18:00, dhe në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Ju njoftoj se sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës, dhe në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025,” tha Elezi.
Zgjedhjet u mbajtën më 28 dhjetor dhe fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e cila fitoi 57 ulëse në Kuvend ose 51.10 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur të fitojë 22 ulëse ose 20.19% , Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 15 ulëse ose 13.24%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 6 ulëse ose 5.50 % dhe Lista Serbe ka fituar 9 deputetë ose 4.49 %.
Cetrifikimi i zgjedhjeve u vonua pasi KQZ mori vendim për rinumërim total të votave, pas dyshimeve për manipulim.
Qindra komisionerë u arrestuan nën dyshimin për manipulimin e votave. Shtatë Prokuroritë Themelore të Kosovës kanë autorizuar Policinë për hetimin e tyre.