Falsifikimi i votave në Dragash, arrestohen 9 persona

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionin, ka ndërmarrë veprime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.

Sipas njoftimit, Prokuroria ka iniciuar hetime me vetiniciativë, pas pranimit të informatave lidhur me procesin e rinumërimit të votave, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Në kuadër të hetimeve, janë intervistuar 51 të dyshuar, ndërsa 9 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Të ndaluarit, kryesues të komisioneve, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” sipas nenit 216 par.2 të KPRK-së.

Prokuroria do të vlerësojë brenda afateve ligjore kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për prezencën e të pandehurve gjatë procedurës hetimore.

Autoritetet theksojnë se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit, duke vendosur para drejtësisë të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin.

Back to top button