Kaloni te përmbajtja kryesore

Rasti kundër administrimit të drejtësisë, ekspertja deklaron se mbështetshmëria në transkriptet e ZPS-së është e ulët

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ekspertja Helen Fraser deklaroi se mbështetshmëria në transkriptet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) nga audiot e vizitave në Qendrën e Paraburgimit, është e ulët.

Fillimisht, mbrojtësja e Thaçit, avokatja Sophie Menegon tha se kanë kërkuar nga Hysni Reçica dhe një kompani përkthimesh transkriptimin e një pjese të vizitës së Kilajt nga Qendra e Paraburgimit.

Në një pjesë të transkriptit të Reçicës, sipas saj, shihet se vendoset me të kuqe fjala “Vllaznim”, ndërkaq kompania e përkthimit kishte zbardhur edhe një pjesë, megjithatë në fillim thuhet njësoj “Vllaznim”.

Fraser deklaroi se transkriptet duken të ngjashme.

Sa i përket një pjese tjetër të audios, thuhet Reçica thekson që është e paqartë dhe e padëshifrueshme. Kurse, Kompania e bëri një zbardhje me disa fjalë ndryshe por në sasi pak. Në anën tjetër, ZPS-ja ka transkriptet më të gjera.

“Ka shumë dallime, audio ka qenë më pak e qartë”, tha Fraser.

Sipas saj, transkriptuesit duhet të kenë aftësi të dëshifrimit të versioneve të paqarta dhe të ndjekin një metodologji të zbatueshme. Tha se transkriptuesit është dashur të transkriptojnë në mënyrë të pavarur pa parë krahasimet.

Sa i përket mbështetshmërisë dhe besueshmërisë së transkripteve të ZPS-së, ekspertja tha se mbështetshmëria është e ulët.

“Nuk mund të mbështetemi në to si transkripte të sakta për procesin gjyqësor”, tha Fraser.

Ajo tha se nuk kemi aftësi të demonstrueshme për dëshifrimin e audiove, dhe mungon metodologjia e caktuar.

Ekspertja tha se mungesa e vulave të kohës e bën të vështirë procesin e vlerësimit të transkripteve dhe krahasimin me një transkriptë apo përkthim tjetër.

Fraser shtoi se përdorimi i shumtë i shenjave të pikësimit të bëjnë të duket se tekstet janë të gjuhës së shkruar dhe jo asaj të folur. Tha se shenjat e pikësimit në transkripta janë minimale.

Sa i përket audios nga vizita e Smakajt, nga transkripta e ZPS-së, thuhet se në një pjesë thuhet “Artan Behrami imiton dikë (e padëshifrueshme)”, Fraser tha se kur thua “imiton dikë” është imitim i situatës që ka bërë transkriptuesi/përkthyesi.

Ajo thotë se nga ZPS bëhet interpretim i tejzgjatur i fjalëve dhe zhurmave që dëgjohen.

Avokatja tha se Prokuroria ka pohuar se personat që janë përfshirë në transkriptim/përkthim në këtë çështje, kanë punuar edhe në transkriptim/përkthim në rastin për krime lufte.

Ekspertja thotë se për transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit përdori Inteligjencën Artificiale

(Përditësuar, ora 12:00)- Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja Helen Fraser foli për transkriptimin e audiove nga vizita e Kuçit në Qendrën e Paraburgimit, për të cilin tha se përdori Inteligjencën Artificiale.

Pas deklarimit lidhur me disa aspekte të linguistikës, u diskutuan audiot e gjykimit konkret, lidhur me dy vizita që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit, ku ekspertja Fraser tha se u fokusua në dy incizimet.

Lidhur me transkriptet, ajo tha se është shumë e rëndësishme të dimë procesin që është ndjekur. Tha se është e vështirë ta shohin një transkriptë pas faktit.

Gjuhën shqipe, Fraser tha se nuk e kupton dhe nuk ka pasur transkriptues që flet shqipen, megjithatë përdori transkriptuesin e Inteligjencës Artificiale.

Por, theksoi se në rastet tjera janë një grup transkriptuesish që janë të aftë për audiot e padëgjueshme mirë.

E pyetur nëse Inteligjenca Artificiale është mjet i mirë për ta zëvendësuar transkriptuesin, Fraser tha se nuk është e duhura.

“Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e audiove të padëshifrueshme. E përdora sepse doja të dija sa informacion është i dëshifrueshëm nga lart-poshtë”, tha Fraser.

Fraser deklaroi se përdori mjetin e transkriptimit nga AI dhe shtoi se dobia ishte se ky mjet i mundësoi deshifrimin dhe transkriptimin e saktë sikurse transkriptuesit.

Megjithatë, tha se mjeti i Inteligjencës Artificiale iu dha një ide se çfarë përmban audio.

Përpjekja për të reduktuar zhurmën, në shumë raste, sipas saj, do të thotë edhe heqje e informacionit.

Më pas, dëshmitares iu paraqit shkëmbimi i e-maileve mes mbrojtjes së Thaçit dhe një përkthyesi, ku iu kërkua të transkriptonte disa audio nga vizita e Kuçit. Përkthyesi kishte thënë se nuk mund t’i transkriptonte për shkak të pamundësisë së dëshifrimit. Pas kësaj, iu shfaq edhe audio e transkriptuar nga ZPS-ja, transkriptë kjo me pesë faqe.

Lidhur me këtë, Fraser tha se nuk e di nëse përkthyesi në fjalë do të ishte në mesin e personave që ka zotëruar aftësinë e dëshifrimit të këtyre lloj audiove. Por, tha se beson që ZPS-ja është mbështetur edhe në informacionin lart-poshtë, të cilin përkthyesi nuk e ka pasur.

E-maili tjetër që iu shfaq dëshmitares ishte mes mbrojtjes së Thaçit dhe Njësisë për Administrimin e Gjykatës, ku këta të fundit u kanë thënë se nuk mund ta bëjnë transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit, për shkak të cilësisë së audios. Sërish, ZPS-ja e kishte transkriptuar.

Për këtë, dëshmitarja tha se beson që rrethanat janë të njëjta, ku derisa ki informacione më shumë për kontekstin, është më e lehtë të bëhet transkriptimi./Betimipërdrejtësi

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button