“Përplasja Osmani- Kurti, do të shpërfaq keqqeverisjen”

Ndonëse fushata për votimet e 7 qershorit ende nuk ka nisur zyrtarisht, tashmë subjektet politike kanë intensifikuar fushatën e tyre siç janë afrimi i figurave të reja në partitë e tyre, takimet me qytetarë por edhe tubimet partiake. I fundit ishte tubimi i LDK-së, që u quajt si “tubimi i bashkimit”. Në këtë tubim, ish-presidentja Osmani u lëshua në akuza kundër ish-partnerit të saj Albin Kurti duke e cilësuar si shkaktarin kryesor të krizave politike në Kosovë. LDK dhe Osmani fushatën e vazhduan edhe gjatë ditës nëpër rrjete sociale, duke thënë së bashkëpunimi me Osmanin nuk është vetëm një bashkim politik.
“Yjet politike na kanë sjellë sërish në një vend. Në të njëjtin vend që ndihemi të dy mirë! Le ta krijojmë këtë momentum në një lidhje që qëndron në kohë, si një periudhë tek e cila kthehemi shume vite më pas, si kujtesë e mbarë dhe e mirë për familjen tonë politike.
Prandaj sonte, le ta kuptojmë se ky nuk është vetëm bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi.”, tha Osmani.
Osmani në fjalën e saj, ndër të tjerash duke përmendur të arriturat e saj në arenën ndërkombëtare dhe punën e saj për thellim të marrëdhënieve me SHBA-të, pati akuza se Kurti ka pasur përpjekje që kampit ushtarak amerikan në Kosovë Bond Still t’i kërkohet edhe qira mujore. Deklaratë kjo e cila sipas ish-ambasadori Avni Arifi është një përpjekje e Osmanit që të ketë përballje direkte me kryeministrin në detyrë Kurti.
“Kjo tash është një situatë e re. Po shohim një vullnet të Osmanit për ta përballur direct Kurtit vet përmendja e idesë së çmendur të Kurtit që Bondstillit t’I kërkohet qira mujore tregon një gjë të tillë. Pra t’I kërkohet qira ushtarëv që edhe në këto momente që po bëjmë këtë intervistë ata po na ruajnë kufirin…”, u shpreh Arifi.
Refuzimi i Kurtit për ta kandidauar edhe për një mandat ish-presidenten Osmani çoi në një përplasje mes binomit Osmani-Kurti të cilët në vitin 2021 fituan mbi 50% të ulëseve në Kuvend. Përplasje e cila sipas ish-ambasadorit Arifi është vetëm në nisje të saj, por që, siç thotë do të shërbejë për një gjë.
“Akuza kundër njëri-tjetrit do të shërbejnë për t’ju treguar qytetarëve se sa keq jemi qeverisur në këto vite…”, tha Arifi për rtv21
Kosova përfundoi në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit. Ndërkohë, rikthimi i Osmanit në një listë zgjedhore me LDK u pa si një zhvillim i madh për këtë parti, suksesi i të cilit sipas analistëve varet nga votuesit e LDK-së. Ndërkohë, analisti politik Bekim Selishta ngreh dilemat e tij lidhur me këtë bashkëpunim. Ai akuzat e Osmanit kundrejt Kurtit i cilëson si të vonshme. Megjithatë, sipas Selishtës, nëse Osmani dhe LDK gjetën me lehtësi një gjuhë të përbashkët, shembullin e tyre do duhej ta ndjekin edhe subjektet e tjera në mënyrë që edhe ato të mbledhin dhe bashkojnë forcat e tyre politike.
“ Nëse Vjosa bënë në LDK atëherë do duhet që edhe Agim Veliu të hyjë në listë. Duhet që edhe Limaj të kthehet në PDK sepse ska arsye pra nëse Vjosa u kthy në LDK këta të tjerët do duhej që shumë ma leht t’i bëjnë këto bashkime…”, tha Selishta
Kosova gjendet në një krizë politike që ka shkaktuar cikël zgjedhjesh që nga shkurti i vitit të kaluar. Ndërkohë, më 7 qershor do të mbajë zgjedhjet e 3-ta parlamentare pa garancë se do të dalë nga ngërçi në të cilin është futur./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?