Shoferi filmohet me portë futbolli mbi makinë

Një shofer në Mbretërinë e Bashkuar është gjobitur pasi u filmua duke drejtuar automjetin me një portë futbolli të vendosur mbi makinë në mënyrë të pasigurt. Rasti ndodhi në Borehamwood të Hertfordshire, ndërsa pamjet u publikuan nga Hertfordshire Police në rrjetet sociale, raporton “SkyNews”
Në videon e publikuar, automjeti shihet duke dalë nga një kryqëzim me portën e montuar plotësisht mbi çati, ndërsa policia e ndalon menjëherë më pas. Autoritetet thanë se korniza nuk ishte siguruar siç duhet dhe mund të kishte shkaktuar aksident serioz në rrugë.
“Ndërsa ky klip mund t’ju ketë bërë të qeshni, ka një anë serioze. Porta nuk ishte siguruar siç duhet dhe mund të kishte shkaktuar lehtësisht një përplasje”, thuhet në reagimin e policisë. Ata shtuan se në Mbretërinë e Bashkuar drejtimi i automjetit me ngarkesë të pasigurt konsiderohet kundërvajtje e rrezikshme dhe në raste më serioze mund të çojë edhe në burg.
Sipas policisë, shoferit iu hoqën tre pikë nga patentë-shoferi, ndërsa u urdhërua të paguante një gjobë prej 120 paundësh, si dhe 48 paundë shtesë. Autoritetet thanë se incidenti kishte ndodhur më 12 maj të vitit të kaluar, ndërsa shoferi ishte paraqitur së fundmi në gjykatë ku u shqiptua dënimi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?