“Era” zgjedhje – presidenti ‘’përçan’’ partitë?

Para konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Albin Kurti nuk kishte shfaqur gatishmëri për të zhvilluar bisedime me subjektet e tjera politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për postin e presidentit. Por Kurti, pas zgjedhjes kryeministër, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim. Kjo qasje, sipas PDK-së, është farsë për përfitime politike. Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, vlerëson se bisedimet për presidentin do të duhej të zhvilloheshin menjëherë pas përfundimit të rezultateve zgjedhore, për të arritur konsensus. Në rrethanat aktuale politike deputeti Rrahmani kërkon zgjedhje të reja për çështjen e presidentit.
“Besoj se rreth çështjes së presidentit vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe të kemi një rikonstituim të Kuvendit, si dhe një vlerësim nga ana e qytetarëve. Veprimet e LVV-së gjatë kësaj periudhe kanë qenë më shumë veprime populiste. Për një kohë kaq të shkurtër është vërtetuar se është përdorur mekanizmi i populizmit për të arritur rezultatin e fundit. Këtë më së miri e tregon votimi i Kurtit dhe i LVV-së për nënkryetarin e Kuvendit nga Lista Serbe.”, tha Rrahmani për rtv21
Ndërkohë që kryeministri, Albin Kurti po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidentja mori mbështejte në vizionin e saj nga kongresiti reublikan, Keith Self.
“Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse. Vvizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
LVV-ja deri më tash nuk i ka dhënë mbështetje Vjosa Osmanit edhe për një mandat. Ndërsa, ministri i financave Hekuran Murati tha se janë të gatshëm të diskutojnë me partitë e tjera për postin e presidentit të ri.
“Ai është i gatshëm që të ulet me subjektet politike për të gjetur një zgjidhje për presidentin.”.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, pret që midis Kurtit dhe Osmanit të ketë një ballafaqim të ashpër politik për përfitime politike në të ardhmen.
“Këtu do të ketë një luftë të madhe politike midis Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, se kush do të përfitojë më shumë nga ky pozicion për pozicionimet e ardhshme politike.”, tha ai.
Në LDK i thanë televizionit 21 se nuk do të votojnë asnjë kandidat për president pa pasur një marrëveshje politike. Por nuk e bënë të ditur nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër. Qëndrim zyrtar për postin e presidentit nuk kanë as në AAK. Ndërkohë, analistja politike Arta Tahiri vlerëson se nuk ka shumë kohë për zvarritje deri në gjetjen e një konsensusi politik, për t’iu shmangur zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Deri më 5 mars duhet të gjendet një zgjidhje për presidentin, por deri më tani nuk kemi asnjë deklaratë publike nga subjektet politike nëse do të vazhdojnë ta mbështesin Vjosa Osmanin. Me qëndrimin në sallë të LDK-së, besoj se ky proces mund të vazhdojë pa asnjë problem. Duhet të ketë një marrëveshje që krijon stabilitet.”, deklaroi Tahiri për rtv21
Zgjedhja e presidentit të ri duhet të përfundojë më së largu deri më 5 mars./RTV21/21Media