Kurti takon katër senatorë amerikanë në Mynih, ua përsërit kërkesat e Kosovës në raport me Serbinë

Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri, Albin Kurti, u takua me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Sipas njoftimi të Kryeministrisë, në takim Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleatin tonë kryesor.
Kryeministri foli edhe rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
”Në lidhje me raportet me Serbinë, Kurti theksoi rëndësinë e dorëzimit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023; nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike; tërheqjes së letrës së Brnabiq ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës, thekson njoftimi.
Kurti po qëndron në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku janë mbledhur liderë dhe përfaqësues të lartë nga mbarë bota për të diskutuar çështje të sigurisë globale.