Rama: Do ta dërgojmë në Kushtetuese Ligjin për Buxhetin nëse nuk përfshihet ai i Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se buxheti i miratuar i kryeqytetit nuk është përfshirë në Projektligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës, i cili ndodhet në procedurë parlamentare.
Ai tha se ky përjashtim është bërë pa arsyetim dhe pa bazë ligjore, duke e cilësuar si cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale.
“Buxheti i miratuar i kryeqytetit nuk është përfshirë në Projektligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës i cili tash ndodhet në procedurë parlamentare. Këtë e kanë bërë pa asnjë arsyetim, pa asnjë bazë ligjore. Kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, tha ai.
Sipas Ramës, pasojat janë të menjëhershme, pasi bllokohen shërbimet publike, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i kryeqytetit.
Ai njoftoi se i janë drejtuar Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Republikës së Kosovës me kërkesë për përfshirjen e plotë të buxhetit para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026.
“Çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike. Këto pasoja janë reale dhe të menjëherëshme, ku si rezultat bllokohen shërbimet publike, ndalen projektete kapitale, paralizohet funksionimni institucional i kryeqytetit. Askush s’ka te drejte ta marrë peng kryeqytetin. Asnjë institucion nuk ka mandat të vendos për Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës. Për këtë ju kemi drejtuar Komisioni për Buxhet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kemi kërkuar përfshirje të menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar në Komunë para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026″
Rama shtoi se është kërkuar reagim edhe nga Ministria e Financave, duke paralajmëruar se Ligji do të dërgohet në Gjykata Kushtetuese nëse miratohet pa buxhetin e kryeqytetit.
Ju kemi drejtuar edhe Ministrisë së Financave me kërkesë të qartë që të korigjojë menjëherë këtë shkelje dhe të jap përgjigje brenda afatit ligjor. Nëse Ligji miratohet duke injoru buxhetin e Kryqytetit atëherë ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetutese”, tha Rama.