“Liria ka Emër” viziton familjen e Rexhep Selimit para marshit më 17 shkurt

Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, vizituan sot familjen e Rexhep Selimit, i cili po gjykohet në Hagë në fazën finale të procesit.
Ata u pritën nga bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, e shoqëruar nga djali dhe vajza, me të cilët zhvilluan një takim solidarizues në këtë moment vendimtar për familjen dhe për vendin.
Gjatë vizitës, “Liria ka Emër” tha se “përfaqësuesit e platformës shprehën mbështetje të plotë për familjen Selimi dhe ritheksuan besimin e tyre se lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e drejtë dhe e pastër”.
“Ata e njoftuan Shqipe Selimin për mobilizimin qytetar dhe për marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, si një shprehje e mbështetjes popullore për çlirimtarët që po përballen me procesin në Hagë”.
“Qëndrojmë pranë familjes Selimi me bindjen e plotë se drejtësia do të triumfojë dhe se çlirimtarët tanë do të kthehen sa më shpejt në shtëpi”, tha Eliza Hoxha.
“Marshi i 17 shkurtit është zë i përbashkët qytetar për drejtësi dhe dinjitet. Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe rikthimin e tyre pranë familjeve dhe popullit”, u shpreh Ismail Tasholli.
Shqipe Selimi, siç u tha në komunatë, falënderoi platformën “Liria ka Emër” për angazhimin dhe solidaritetin e treguar në këtë fazë finale të procesit, duke shprehur mbështetjen për marshin e 17 shkurtit.
“Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë vizitat dhe mobilizimin qytetar në mbarë vendin, duke ftuar qytetarët që të bashkohen në mënyrë paqësore dhe dinjitoze në marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë”, thuhet në njoftim.