Bajrami i kërkon Sorensenit që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kryenegociatori i Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Agron Bajrami, është takuar sot me të dërguarin e posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Sipas MPJD-së, në takim u shkëmbyen mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë Bajrami.
MPJD bëri të ditur se Bajrami ka theksuar po ashtu se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj Serbisë për të përmbushur obligimet e marra gjatë viteve në dialog.
“Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB”, thuhet në njoftim.
Sa i përket hapave të ardhshëm, sipas MPJD-së, kryenegociatori i Kosovës ka ritheksuar se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
“Kjo përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas MPJD-së, Bajrami ka theksuar se progresi i mëtejshëm në procesin e dialogut do të varet edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?