Kaloni te përmbajtja kryesore

Çka ndodh me Vjosa Osmanin nëse nuk del rezultati i mirë zgjedhor për LDK-në?

Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, Vjosa Osmani duket se e ka një të ardhme politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Të paktën kështu thotë anëtari i kryesisë së kësaj partie, njëherësh kandidati për deputet, Armend Zemaj. Ai në intervistën zgjedhore në KosovaPress thekson se gara në një listë të përbashkët jep sinjale se ka një afrim për një bashkëpunim afatgjatë dhe përfshirje të Osmanit në struktura. Megjithatë, ai është skeptik nëse Osmani mund të jetë kryetare e LDK-së, pasi siç thotë ka figura të tjera që meritojnë “kryetarllakun”.

“Kjo është hipotetike, por po duket që është një afrim që mund të jetë një bashkëpunim afatgjatë i ecjes së në LDK… Është herët, as nuk mund të them a ka ambicie apo jo. Ka edhe persona të tjerë që kanë punuar gjatë në LDK dhe kanë prapavijë të mirë etike, morale dhe profesionale dhe për t’i vendosur strukturat dhe elektorati i LDK-së”, thotë ai.

Megjithatë, Zemaj insiston se Osmani si kandidate e tyre për presidente do ta marrë këtë post pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Duhet kuptuar, kjo është garë. Ne po hyjmë për t’i fituar zgjedhjet dhe kemi person i cili mendojmë që mund të jetë një president i mirë për Kosovën dhe kemi një kandidat që e kemi pasur edhe kandidat që mund ta udhëheqë ekzekutivin, që është një prej shtyllave kryesore në një sistem parlamentar edhe me udhëhequr Kosovën… Absolutisht që po, është brenda LDK-së. Është kandidate, kur të fitohen zgjedhjet, i nënshtrohet diskutimit. Ka pranueshmëri, nëse gjenden 80 vota, mund të futet. Nëse nuk ka pranueshmëri, domethënë kalon në një nivel tjetër…”, deklaron ai.

Zemaj la të hapur edhe mundësinë e bashkëpunimeve paszgjedhore, duke theksuar se LDK nuk e përjashton asnjë subjekt politik, përfshirë Lëvizja Vetëvendosje, nëse kjo do të shërbente për stabilitet institucional.

“Janë tema paszgjedhore. Ju e dini, kjo logjikë që e ka dëmtuar edhe komunikimin politik, vendosja e vijave të kuqe ka qenë edhe si përfitim i momentumit elektoral ose individual, por ne jemi të përcaktuar për Kosovën, për të ardhmen e saj dhe të fëmijëve tanë që këtu po i rrisim dhe këtu dëshirojmë t’ua bëjmë të ardhmen e përbashkët me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, shton ai.

Përkundër kësaj, Zemaj alarmon për rrezikun që vendi të vazhdojë krizën politike në rast se nuk zgjidhet presidenti pas zgjedhjeve.

“Nëse nuk ka vullnet të subjekteve politike, mund të hyjmë në një krizë të re kushtetuese, por unë këtë nuk do ta kisha dashur. Qytetarët e Kosovës mendoj që dëshirojnë stabilitet institucional. Edhe besoj që do të votojnë për stabilitet institucional. E kanë barrë në shpinë edhe koston e jetesës edhe atë çka po ndodh me largimin e të rinjve dhe të rejave nga Kosova. Mos harroni, Kosova është duke u zbrazur në vazhdimësi, jo nga mirëqeverisja, por nga keqqeverisja”, përfundon ai./kp

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button