E jashtëzakonshme, Muriqi në formacionin e sezonit në La Liga

Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll. Sulmuesi kosovar është përfshirë në formacionin më të mirë të sezonit në La Liga, duke konfirmuar edhe një herë sezonin fantastik që po zhvillon me fanellën e Mallorca.
La Liga publikoi këtë të mërkurë ekipin ideal të sezonit, ku Muriqi zuri vendin e sulmuesit qendror pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë gjithë kampionatit. Ylli dardan ka realizuar 22 gola këtë sezon, vetëm dy më pak se golashënuesi më i mirë i kampionatit, Kylian Mbappe i Real Madrid.
Përfshirja e Muriqit në mesin e emrave më të mëdhenj të futbollit spanjoll konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme, sidomos duke marrë parasysh konkurrencën e fortë në La Liga. Sulmuesi i Kosovës ka qenë lider absolut te Mallorca, duke udhëhequr ekipin me gola dhe paraqitje vendimtare në shumë ndeshje gjatë sezonit.
Në formacionin e sezonit janë përfshirë edhe emra të mëdhenj si Lamine Yamal, Pedri, Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, gjë që e bën edhe më të veçantë praninë e reprezentuesit kosovar në këtë listë elitare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?