”Bordi i Paqes” Osmani: Zotimi fuqizon FSK-në drejt NATO-s

(Lajm i përditësuar)

”Bordi i Paqes” Osmani: Zotimi fuqizon FSK-në drejt NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një lidhje direkte në ”Click” të RTV21  nga SHBA-të ka sqaruar rolin dhe zotimin e Kosovës në Bordin e Paqes,  lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave të Kosovës në misione ndërkombëtare, përfshirë diskutimet mbi Gazën.

“Sot zotimi ishte politik. Dokumenti që kemi nënshkruar reflekton interesin e shteteve anëtare për të kontribuar, ndërsa interesi nga Kosova është prezantuar zyrtarisht që në dhjetor të vitit të kaluar në Doha, ku me pëlqimin tonë, Komandanti i FSK-së e ka përfaqësuar Kosovën. FSK-ja ka treguar në cilat sektorë mund të marrë pjesë në fazën e parë dhe fazën e dytë, kur situata është më e sigurt. Të gjitha këto janë dokumentuar dhe janë dërguar me shkrim nga ana e FSK-së tek unë”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se ky zotim përbën një shans të jashtëzakonshëm për FSK-në, duke e pozicionuar Kosovën pranë aleatit strategjik për misione paqeruajtëse dhe duke fuqizuar synimin e saj për anëtarësim në NATO. “Sot është dhënë vetëm zotimi politik, që tregon qëllimin tonë për t’u bashkuar”, shtoi Osmani.


Osmani: Vlerësimi i Trumpit për mua është vlerësim për Kosovën

“Kurrë nuk na ka dalë keq të jemi pranë SHBA-ve” thotë Osmani për RTV21

Në një lidhje direkte për emisionin “Click” në RTV21, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lartë mbështetjen dhe vlerësimin që ka marrë nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke theksuar se kjo fuqizon pozitën e Kosovës dhe popullin e saj.

“Vlerësimi i Trump për mua si presidente është një vlerësim për Kosovën dhe popullin e saj. Jam shumë mirënjohëse. Do të jemi edhe ne pranë SHBA-ve në misionin për paqe dhe stabilitet në botë. Rreshtimi me SHBA-të është rruga më e drejtë që asnjëherë nuk i ka dalë keq shtetit tonë dhe kombit tonë shqiptar”, u shpreh Osmani.

Tutje Osmani nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe për kontributin në paqen dhe stabilitetin global.


Osmani: Diskutim i rëndësishëm me Trump dhe kabinetin e tij për Gjykatën Speciale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli për deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me Gjykatën Speciale në takimin e Bordit të Paqes, duke nënvizuar se janë zhvilluar diskutime të rëndësishme me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe ekipin e tij.

“Për hir të të procesit dhe diskutimit nuk dua të flas më gjatë, po kemi pasur një diskutim shumë të rëndësishëm edhe me Trump, edhe me njerëz nga kabineti i tij”, tha Osmani.

Ajo theksoi rëndësinë e këtyre kontakteve për të garantuar mbështetje ndërkombëtare dhe për të forcuar pozitën e Kosovës në çështjet ligjore dhe diplomatike që lidhen me rajonin.


“Trump i informuar për çdo hap të Kosovës”, Osmani për marrëdhëniet me SHBA-të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një lidhje direkte për emisionin “Click” në RTV21 nga SHBA-të ka dhënë detaje mbi bisedat e saj me presidentin amerikan, Donald Trump, duke theksuar mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për paqen në rajon.

“Diskutimi me presidentin Trump ka qenë një garanci e SHBA-ve. Ai është i informuar për punën që kemi bërë për mirëmbajtjen e paqes dhe gjithmonë ka treguar interes për stabilitetin në rajonin tonë. Ai gjithashtu tha se nëse kemi problem me Serbinë, mund ta kontaktojmë direkt. Diskutimet tona kanë përfshirë këtë temë, por kemi pasur edhe diskutime të tjera me detaje me ekipin e tij. Kam kontakt të shpeshtë me ta dhe jam falënderuese për këtë bashkëpunim. Presim që të punojmë ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen dhe të dëshmojmë kontributin tonë”, u shpreh Osmani.

Osmani nënvizoi rëndësinë e këtyre kontakteve për avancimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.


Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes fuqizon raportet e Kosovës me SHBA-të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një lidhje direkte për emisionin “Click” në RTV21 nga SHBA-të, Osmani tha se Kosova është e nderuar me vlerësimin e bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ekipi i tij për përfshirjen në këtë bord.

“Kosova është e nderuar me vlerësimin e presidentit Trump dhe ekipit të tij që të përfshihet si anëtare e këtij Bordi. Duke pasur parasysh që jemi anëtare me të drejta të plota dhe tani do të jemi edhe kontribuues, kjo do t’i hapë rrugë Kosovës. Në radhë të parë, fuqizon raportet me SHBA-të dhe me vendet e tjera”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara./RTV21/21Media

Back to top button