Murati: Asnjë prokurim s’mund të inicohet pa miratimin e buxhetit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektbuxheti 2026, i cili po shqyrtohet sot në lexim të dytë, është buxhet i përkohshëm dhe emergjent.
Murati theksoi se nevoja për buxhet është emergjente, meqë asnjë aktivitet i prokurimit nuk mund të iniciohet pa miratim të buxhetit.
Ai tha se prioritetet e Qeverisë dhe komunave, mund të shtohen e reflektohen gjatë rishikimit.
“Me zgjatjet që bëhen sipas ligjit në mungesë të buxhetit, ajo është zgjidhje emergjente e përkohshme sa i përket shpenzimeve rrjedhëse. Për sa ipërket projekteve dhe inicimit të projekteve tjera asnjë projekt nuk mund të inicohet prokurimi për të. Asnjë projekt nuk mund të inicohet prokurimi për shkak se nuk ka buxhet dhe nuk mund të bëhet zotimi i mjeteve për shkak se nuk është buxheti në fuqi”, tha Murati.
Shtoi se kjo është arsyeja pse kanë dashur si Qeveri që procedojnë sa më shpejt buxhetin.
“Po e miratojmë këtë buxhet, që të ketë një bazë mbiu të cilën edhe komunat e edhe organizatat tjera buxhetore të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa problem, e më pas prioritetet e Qeverisë dhe të komunave, të kenë mundësi t’i shtojnë apo reflektojnë gjatë rishikimit.Kërkesa jonë ka qenë të mos ketë amandamente meqë është buxhet i përkohshëm”, shtoi Murati.