Komisioni Evropian pret njoftim formal nga Kosova për ratifikim të marrëveshjeve për të kryer pagesat nga Plani i Rritjes

Komisioni Evropian është shprehur se tash, pasi Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjet për kredi dhe mjete me BE-në, Kosova është kualifikuar për të marrë pagesën e parë në formën e parafinancimit nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Por Komisioni pret për këtë edhe komunikimin formal nga ana e Kosovës e pastaj do të konstatojë përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe atyre specifike për të kryer pagesën.
“Tash, pasi marrëveshjet e lidhura me mjetet dhe reformat janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë mjetet e parafinancimit”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.
“Kur këto ligje të hyjnë në fuqi zyrtarisht dhe kur t’i komunikohen Komisionit, dhe nëse janë përmbushur kushtet e përgjithshme dhe ato specifike, pagesat e fondeve nga Plani i Rritjes mund të bëhen”, thotë ky zëdhënës.