Kurti: Paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik pjesë e Buxhetit 2026

Kryeministri i Albin Kurti ka vlerësuar miratimin e Buxhetit të vitit 2026 si një lajm të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe qytetarët.

Ai ka rikujtuar se buxheti ishte dashur të miratohej në fund të vitit 2025, por kjo u bë e mundur vetëm tani. Kurti falënderoi të gjithë deputetët për votën mbështetëse, si dhe për vërejtjet dhe kritikat e tyre, të cilat do të trajtohen gjatë rishikimit të buxhetit.

Ai ka përmendur pikat kryesore të buxhetit prej rreth 4 miliardë euro.

“Ky buxhet parasheh 867 milionë euro për komunat; përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik; ndryshimin që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para; si dhe shtyrjen e zbatimit të shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat e vendit tonë.”

Gjithashtu, buxheti parashikon rritje të mbështetjes për barna esenciale, kulturë, sport, ndërmarrësit në sektorin privat, bujqit dhe investime në infrastrukturë publike.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ky buxhet synon të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe të forcojë zhvillimin ekonomik të vendit.

Back to top button