Kaloni te përmbajtja kryesore

DnV-ja fton partitë të respektojnë standardet e garës dhe të fokusohen në debat përmbajtësor

Me fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar të enjten planin dhe komponentët e misionit të saj për vëzhgimin e procesit zgjedhor, duke vlerësuar se aktivitetet e parafushatës dhe komunikimi elektoral në terren dhe në hapësirën online kanë nisur tashmë prej kohësh.

Megjithatë, sipas organizatës, periudha para fillimit të fushatës është karakterizuar edhe nga vendime qeveritare me ndikim në integritetin e procesit zgjedhor dhe barazinë e garës, përfshirë shpërndarjen e pakove financiare në vlera të mëdha për kategori të ndryshme të popullsisë, si mërgata dhe bizneset private.

Në garën zgjedhore që do të zgjasë 10 ditë, DnV-ja u ka bërë thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë rregullat në fuqi dhe të zhvillojnë një fushatë demokratike, fer dhe të bazuar në përmbajtje programore.

Sipas planit të prezantuar, DnV-ja do të vlerësojë fushatën në tre aspekte kryesore: shpenzimet e partive në rrjete sociale, veçanërisht në platformën Meta (Facebook dhe Instagram), përmbajtjen e sponsorizuar dhe mënyrën e promovimit të kandidatëve.

Po ashtu, do të monitorohen gjuha e urrejtjes, dezinformimi, lajmet e rreme, përmbajtjet manipuluese dhe trendet kryesore të komunikimit në rrjetet sociale dhe mediat online gjatë gjithë fushatës.

Monitorim do të bëhet edhe në mediat tradicionale, përfshirë televizionet me shtrirje kombëtare, për të vlerësuar respektimin e standardeve për kohë dhe hapësirë të barabartë për subjektet politike. Në këtë kuadër, DnV-ja thekson edhe rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në trajtimin e shkeljeve të mundshme.

“Vëzhguesit e DnV do të përcjellin 11 televizione në gjuhën shqipe dhe serbe, me fokus në hapësirën që u jepet kandidatëve për deputetë dhe kandidatëve për kryeministër, si dhe në përfaqësimin e grave, gjuhën e përdorur dhe temat e trajtuara gjatë fushatës”, ka thënë Eugen Cakolli.

Në ditën e zgjedhjeve, DnV-ja do të angazhojë rreth 500 vëzhgues në të gjitha komunat e vendit. Ata do të vendosen në 500 vendvotime të përzgjedhura sipas metodologjisë statistikore PVT (Parallel Vote Tabulation), me qëllim të vlerësimit kredibil të procesit dhe rezultateve preliminare.

Pas mbylljes së votimit, DnV-ja do të monitorojë edhe procesin e numërimit të votave në të gjitha 38 Qendrat Komunale të Numërimit, me 100 vëzhgues që do të ndjekin procedurat e numërimit, trajtimin e materialit zgjedhor dhe transparencën e procesit.

Po ashtu, do të vëzhgohen edhe zhvillimet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë votat me kusht, votat nga jashtë vendit dhe rastet eventuale të rinumërimit.

“Të gjitha gjetjet e vëzhgimit do të publikohen fillimisht përmes deklaratave preliminare, ndërsa më pas në raportin përfundimtar, i cili do të përfshijë analizën dhe rekomandimet për procesin zgjedhor në tërësi”, ka shtuar Cakolli.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button