Kaloni te përmbajtja kryesore

​Sondazhe të fabrikuara dhe video të rreme, format që po ndikojnë në fushatat zgjedhore

Inteligjenca artificiale po shfrytëzohet në rritje për krijimin dhe përhapjen e dezinformatave gjatë proceseve zgjedhore, paralajmëruan ekspertët në konferencën e organizuar nga Hibrid.info për trendet e reja të keqinformimit.

Hulumtuesi i Hibrid.info, Festim Rizanaj, prezantoi format e manipulimit të përmbajtjeve përmes inteligjencës artificiale, duke theksuar se video dhe audio të gjeneruara me këtë teknologji po publikohen në mënyrë që të duken sa më autentike.

Sipas tij, këto materiale shpesh simulojnë intervista me qytetarë, duke përdorur logot e mediave, ambiente publike dhe audio sintetike për të rritur besueshmërinë e tyre.

“Këto materiale shpesh simulojnë intervista reale me qytetarë duke përdorur logo mediash, ambiente publike dhe audio sintetike për t’i bërë më të besueshme. Personazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale paraqiten duke bërë deklarata politike për figura të ndryshme dhe zhvillime zgjedhore, me qëllim ndikimin e opinionit publik dhe përhapjen e narrativave dezinformuese gjatë fushatave zgjedhore”, tha Rizanaj.

Në të njëjtën konferencë, hulumtuesi Etrit Rexhepi foli për format e keqinformimit që mund të ndikojnë te qytetarët gjatë periudhës zgjedhore, duke u bërë thirrje votuesve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e manipulimeve kur marrin vendimin e tyre në ditën e votimit.

Rexhepi theksoi se një nga format më të përhapura të dezinformimit janë sondazhet e fabrikuara, të cilat shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale dhe shpesh gjenerojnë ndërveprim të madh.

“Sondazhet e fabrikuara publikohen shpesh dhe kanë interaksion më të madh. Ajo që i karakterizon sondazhet e rreme është mungesa e një metodologjie të qartë. Nuk dihet burimi, mostra dhe as koha kur është realizuar sondazhi. Këto publikohen nga burime anonime. Synimi i tyre është të ndikojnë në perceptimin e opinionit publik. Po ashtu, pjesë e keqinformimit janë edhe deklaratat e rreme”, u shpreh Rexhepi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button