Kurti takohet me shefin e OSBE-së në Kosovë McGurk, diskutim për zhvillimet aktuale politike

Kryeministri Kurti takohet me shefin e OSBE-së në Kosovë McGurk, diskutim për zhvillimet aktuale politike
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit.
“Ambasadori McGurk e uroi Kryeministrin për mandatin e ri qeverisës dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet OSBE-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, si dhe për rëndësinë e avancimit të reformave demokratike. Në veçanti, u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të komuniteteve dhe sundimit të ligjit.
Kryeministri e falënderoi Ambasadorin McGurk dhe Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për kontributin në forcimin e institucioneve demokratike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.