Dy persona në kërkim ndërkombëtar ekstradohen në Kosovë – njëri nga Italia, tjetri nga Gjermania

Policia e Kosovës njofton se më 26 shkurt 2026, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të policisë dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e shtetasit kosovar me inicialet M.Q. nga Italia në Kosovë.
Sipas njoftimit, ai ishte arrestuar nga autoritetet italiane në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”. Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 27 shkurt 2026, është realizuar edhe ekstradimi nga Gjermania në Kosovë i një shtetaseje nga Shqipëria me inicialet V.L. Ajo kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar nga autoritetet kosovare për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”.
E dyshuara, pas mbërritjes në Kosovë, u është dorëzuar njësive kompetente për vazhdimin e procedurave ligjore.
Sipas Policisë, të dy ekstradimet janë realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve italiane dhe gjermane.
Policia e Kosovës ka theksuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.