Afati drejt fundit, ende pa emër për president

Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Arsim Bajrami i vetë ofruar, janë emrat që po qarkullojnë në diskursin publik si të mundshëm për postin e presidentit por deri më tani asnjëri nga ta nuk është i propozuar konkret nga partitë politike.
Me gjithë diskutimet e zhvilluara, partia në pushtet dhe dy partitë më të mëdha në opozitë ende nuk kanë arritur pajtueshmëri për çështjen presidentit, derisa janë paralajmëruar takime të radhës.
Ish-diplomati, Avni Arifi vlerëson se rrethanat aktuale tregojnë se presidenti i ri mund të zgjidhet vetëm me një marrëveshje politike të cilën ai e sheh si më të përafërt mes LVV-së dhe LDK-së.
“Fillimisht është pritur të ketë një president konsensual bazë asaj që ka thënë Kurti mes tij edhe partive opozitare. Tani është zhvendos nga një president konsensual tek një president që del nga një marrëveshje politike duket me shumë me LDK-në …Më shumë e shoh një zgjidhje mes LVV-së dhe LDK-së. Nëse nuk zgjedhet deri me 5 shkojmë ne zgjedhje nëse nuk ka marrëveshje politike apo konsensus mes VV-së dhe dy partive më të mëdha opozitare shkojmë një zgjedhje”, tha Arifi për rtv21
Se për zgjedhjen e presidentit të ri duhet kompromis dhe një marrëveshje politike e thotë edhe politologu, Albinot Maloku.
“Mirë kishte me qenë me pas kompromis s dhe marrëveshjeve politike mes akterëve të skenës politike në vend. Peshën më të madhe të përgjegjësisë e ka partia që ka shumicën, VV-ja e cila duhet e cila duhet te angazhohet maksimalisht qe vendit t’i ofrojë perspektivë dhe jo të praktikave të proceseve zgjedhore…manovrimet e këto zgjatjet bëhen për konsum politik. Zgjedhjet nuk janë jashtë agjendave te partive politike”, u shpreh Maloku për rtv21
4 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kjo nuk arrihet vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr dy të tretat në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe ai që merr shumicën e votave zgjidhet president.
Pra në raundin e parë dhe të dytë duhen të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe që votojnë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë të paktën 61 deputetë. Nëse presidenti nuk zgjidhet në asnjë raund Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja./RTV21/21Media