Irani kërcënon Izraelin dhe Amerikën me përgjigje “vendimtare dhe të fuqishme”

Irani i ka quajtur shkelje të sovranitetit të vetë dhe shkelje të Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së sulmet që ndaj tij kryen Amerika dhe Izraeli, ndërsa këto dy shtet i ka akuzuar për agresion ushtarak.
Ministria e Jashtme e këtij vendi tha në një deklaratë se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturë mbrojtëse dhe objekte civile në disa qytete dhe ato, siç u shtuan, u kryen në një kohë kur Teherani dhe Uashingtoni ishin të angazhuar në një proces diplomatik.
Sipas këtij institucioni të Republikës Islamike, Irani i kishte dhënë përparësi diplomacisë për të parandaluar luftën, ndërsa ka shtuar që “tani ka ardhur koha për të mbrojtur atdheun” dhe se forcat e armatosura do të përgjigjen në mënyrë “vendimtare dhe të fuqishme”, raporton AA, përcjell KosovaPress.
Teherani pohoi të drejtën e tij për vetëmbrojtje sipas Nenit 51 të Kartës së OKB-së dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë sulmin e përbashkët SHBA-Izrael dhe të ndërmarrin veprime urgjente.
Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit herët të shtunën, duke thënë se ai kishte për qëllim eliminimin e kërcënimeve të pretenduara që paraqiste “regjimi iranian”.