Canaj: Synimi më i madh i Albin Kurtit është kapja e gjykatave

(Lajm i përditësuar)

Canaj: Synimi më i madh i Albin Kurtit është kapja e gjykatave

Analisti Blerim Canaj në emisionin “Click” të RTV21 ka komentuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti dhe emërimin e Donika Gërvalla-Nimani si ministre e Drejtësisë.

Sipas Canajt, qëllimi kryesor i Kurtit është kontrolli i gjykatave, dhe ai shpreh shqetësim për kompetencat e ministres së re.

“Synimi më i madh i Albin Kurtit është kapja e gjykatave. Pse e ka bërë Donika Gërvalla-Nimanin ministre të Drejtësisë? Sepse e di si e ka menaxhuar Ministrinë e Jashtme, ku nuk i interesonin ligjet. Kështu, ka të ngjarë që të ndodhë edhe në Ministrinë e Drejtësisë”, tha Canaj.

Tutje në ”Click” Canaj ka komentuar mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmani në radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, duke theksuar se kjo nuk pritet të refuzohet nga partia.

“Vjosa Osmani ka mundësinë të kthehet në LDK, dhe nuk besoj se LDK-ja do ta refuzojë”, tha Canaj.


“LDK e PDK i frikësohen zgjedhjeve”, Canaj: Kurti e ka kuptuar

Analisti politik, Blerim Canaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar mirë se partitë opozitare, LDK dhe PDK, hezitojnë të shkojnë në zgjedhje, pasi sipas tij ekziston frika nga reagimi i elektoratit.

Canaj tha se edhe në deklaratat e Besian Mustafës nga LDK-ja vërehet një lloj hezitimi për zgjedhje të reja.

“Kurti e ka kuptuar fare mirë se partitë opozitare, LDK dhe PDK, frikësohen të shkojnë në zgjedhje. Edhe te deklaratat e Besian Mustafës vërehet një lloj frike për të shkuar në zgjedhje. Ata kanë frikë se qytetari është i lodhur. E kanë sikletin nëse do të arrijnë të sigurojnë pozicion për vete, qoftë Bedri Hamza apo Lumir Abdixhiku”, ka thënë Canaj./RTV21/21Media

Back to top button