Afati i fundit për Presidentin, Konjufca përflitet për këtë post

Pa kaluar as 24 orë nga takimi i së hënës midis Kurtit dhe Abdixhikut, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, mëngjesin e së martës sërish e ftoi për takim kreun e LDK-së për të diskutuar për postin e presidentit.
Por, as takimi i tretë nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret. Pas takimit, Kurti tha shkurt para gazetarëve se do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur zgjidhje.
“Nuk ka zgjidhje. Do të njoftoheni me kohë për rezultatet.”, tha Kurti
Ndërsa Abdixhiku nuk u shfaq para gazetarëve, por ftoi në një takim urgjent grupin parlamentar të LDK-së në zyrat e partisë. Pas takimit, Besian Mustafa fajësoi LVV-në duke thënë se Kurti nuk po paraqet emra konkretë për president në tavolinën e bisedimeve. Sipas tij, janë dy skenarë për zgjedhjen e presidentit.
“E para është një konsensus i gjerë politik – një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë. E dyta, një marrëveshje politike klasike midis dy partive, LVV-së dhe LDK-së.”, u shpreh Mustafa.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se teknikisht i kanë votat për përcaktimin e dy kandidatëve për president, por sipas saj arsyeja pse nuk po përmenden emra konkretë është se po presin një marrëveshje që ua siguron 80 vota.
Arbërie Nagavci, shefe e deputetëve të LVV-së
“Ne jemi të interesuar që nënshkrimet të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit i cili do të merrte më shumë se 80 vota. Duhet të jemi të sigurt që i kemi 80 vota në Kuvend.”
Partitë politike zyrtarisht nuk e kanë futur në kalkulimet e tyre presidenten aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat. Në LDK thonë se para Osmanit, secili prej zyrtarëve të LDK-së e meriton postin e presidentit. Madje, Lutfi Haziri u shpreh i habitur me pyetjet e gazetarëve nëse ka votë për Osmanin.
‘’Uau çfarë pyetje vëlla’’, tha Lutfi Haziri, deputet i LDK-së
‘’Ka plotë kandidat në LDK për postin e presidentit’’, Armend Zemaj, deputet i LDK-së
As zyrtarët e LVV-së nuk preferojnë ta përmendin emrin e Vjosa Osmanit si kandidate potenciale për postin e presidentes. Kjo, sipas Arbërie Nagavcit, nuk ka të bëjë me performancën e presidentes.
“Nuk ka të bëjë me vlerësim të performancës, por ka të bëjë me votat e deputetëve.”, tha ajo.
RTV21 merr vesh nga burimet brenda LVV-së se ky subjekt politik pritet ta propozojë Glauk Konjufcën kandidat për president. Por kjo nuk është konfirmuar nga LVV-ja.
Sipas afatit kushtetues të mërkurën në mësnatë përfundon afati kur duhet të zgjedhet presidenti i ri. Sipas kushtetutës nëse nuk zgjedhet presidenti vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve./RTV21/21Media