LDK: Procesi për zgjedhjen e Presidentit po devijon nga fryma e konsensusit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë, përgjegjësi institucionale dhe në frymën e konsensusit të paraparë me Kushtetutë.

Sipas LDK-së, takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë pasur karakter konsultativ, me qëllim të gjetjes së një kandidati konsensual për postin e Presidentit. Partia vlerëson se konsensusi nuk duhet të trajtohet si garë politike, por si një proces i përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon mbështetje të gjerë parlamentare.

LDK ka shprehur kritika ndaj qasjes së Lëvizja Vetëvendosje! (VV), duke theksuar se ajo nuk reflekton përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit, por e trajton procesin si garë politike. Sipas kësaj partie, një qasje e tillë nuk i shërben stabilitetit institucional dhe nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Në reagimin e saj, LDK vlerëson se mënyra e zhvillimit të procesit nga ana e VV-së nuk krijon kushte për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon vullnet të mirëfilltë për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike.

Në fund, LDK shpreh keqardhje që, sipas saj, për shkak të kësaj qasjeje politike, vendi rrezikon tejkalimin e afateve kushtetuese dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, në vend të arritjes së stabilitetit institucional që, sipas partisë, qytetarët e presin dhe e meritojnë.

Back to top button