Lufta në Lindjen e Mesme, Rama: Spekulime dhe thashetheme lajmet për sulm mbi Shqipërinë, jemi në NATO

Në episodin e radhës të podcast-it “Flasim”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal te lufta që po ndodh në Lindjen e Mesme, duke u shprehur se prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende. Siç thotë ai për fat të mirë Shqipëria nuk është e përfshirë fizikisht, por nuk i shmanget dot në anën politike.
Ai gjithashtu u ndal edhe te spekulimet se Irani mund të godasë Shqipërinë, duke shtuar se NATO e tregoi në Turqi se do të mbrojë çdo vend anëtarë të saj, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
“Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu. Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës””, deklaroi kryeministri./vizionplus.tv