Hoti: Emri im në rastin e presidentit ishte përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e presidentit dhe përmendjen e emrit të tij në këtë proces.
Përmes një reagimi publik, Hoti tha se konfirmon plotësisht deklaratat e kryeministrit, duke theksuar se ato nuk janë të bazuara në dëgjime, por në atë që ai thotë se ka parë vetë.
“Me përgjegjësi të plotë, konfirmoj çdo detaj të fjalëve të Kryeministrit Kurti në raport me çështjen e Presidentit dhe përmendjen e emrit tim. Jo të dëgjuara, por të parë me sytë e mi”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se sipas tij është tentuar të ushtrohet presion ndaj kryeministrit përmes pazareve politike.
“Një lider politik, Kryeministër me mbi 50% të besimit të popullit, u tentua të shantazhohej me formulën ‘veç nëse don…’. Në atë moment nuk u mendua për popullin, për shtetin, për të ardhmen e vendit. U mendua vetëm për pazarin”, ka thënë ai.
Sipas tij, përmendja e emrit të tij në kontekstin e postit të presidentit ka qenë një përpjekje për të tejkaluar një ngërç politik dhe për të shmangur krizën institucionale.
“Emri im në rastin e Presidentit nuk ishte asgjë më shumë e as më pak se një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, jo për hir timin, por për hir të këtij populli dhe stabilitetit institucional. Për të shmangur zgjedhjet e pesta brenda një viti”, është shprehur Hoti.
Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë jetës së tij nuk ka kërkuar poste politike si dhuratë.
“Asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar ndonjë post dhuratë, e aq më pak postin e Presidentit, që natyrisht është nderi më i madh që mund t’i bëhet një qytetari të këtij vendi. Asnjëherë nuk kam shtrirë dorën për një pozitë. Asnjëherë”, ka deklaruar ai.
Ministri ka folur edhe për përvojën e tij politike dhe raportet me subjektet politike ku ka vepruar, duke theksuar se për më shumë se një dekadë ka qenë i angazhuar në Partia Demokratike e Kosovës.
“Mbi 10 vite të jetës sime ia kam kushtuar PDK-së, me përkushtim dhe me bindje të plotë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe pas angazhimit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje ka vazhduar të ruajë respekt për njerëzit me të cilët kishte bashkëpunuar më parë.
Hoti ka reaguar edhe ndaj kritikave dhe sulmeve ndaj tij, duke theksuar se shpeshherë është sulmuar për shkak të mbiemrit të tij dhe lidhjes me figurën e babait të tij, Ukshin Hoti.
“Nganjëherë krijohet përshtypja se ‘faji’ im i vetëm është se jam djali i Ukshin Hotit. Por ata që po sulmojnë mbi bazën e kësaj arsyeje, duhet ta dijnë që kjo nuk është problem për mua, është krenari!”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Hoti ka bërë thirrje për unitet politik dhe institucional në vend.
“Unë, përsëri, me sinqeritet, ripërsëris thirrjen time për unitet, për hir të vendit tonë dhe për hir të fëmijëve tanë”, ka theksuar ai.