Asambleja Parlamentare e NATO-s publikon mesazhin e Osmanit: Kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen më të forta

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka publikuar një videomesazh të Osmanit, ku ajo thotë se trashëgimia e grave vazhdon ta udhëheqë rrugën demokratike të Kosovës.

Osmani thotë se rruga e Kosovës drejt lirisë nuk u  shkrua vetëm nga burrat, por edhe nga gratë që udhëhoqën rezistencën paqësore.

“Trashëgimia e tyre vazhdon të udhëheqë rrugën tonë demokratike. Nga kjo histori kemi nxjerrë një mësim të përhershëm: një proces paqeje që përjashton gratë nuk mund të ketë sukses të vërtetë. Një sistem sigurie i krijuar pa zërat e grave nuk mund të qëndrojë. Një rend demokratik që lë gratë pas mbetet i paplotë. Gratë nuk janë vëzhguese të progresit. Ato janë drejtueset e tij, nga jeta publike dhe politike, te forcat e sigurisë, diplomacia, ekonomia dhe biznesi. Përvoja na ka treguar se kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura”, është shprehur ajo.

Osmani shtoi se “zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin as injorohen”.

“Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspirojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm”, thotë ajo.

Back to top button