Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)


Vetëvendosje mirëpret masën e përkohshme të Gjykatës ndaj dekretit të Osmanit

Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme deri më 31 mars, ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se presin nga Gjykata ta anulojë këtë dekret dhe “të urdhërojë deputetët e Kuvendit Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi”.

Sipas saj, kërkesa është e drejtë dhe argumentet e qarta e të bazuara në Kushtetutë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shkruar Nagavci.

Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e përkohshme hynë në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.


Gjyqtari Laban kërkoi të përjashtohet nga vendimmarrja për dekretin, Kushtetuesja nuk pranoi

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se gjyqtari serb Radomir Laban ka kërkuar përjashtim nga vendimmarrja në Dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, por “kërkesa i është refuzuar njëzëri”

Kështu u njoftua në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

Gjyqtari në fjalë ishte cilësuar me “veprimtari të rrezikshme” nga Osmani, kur në vitin 2025 ajo kishte tërhequr kërkesën që e kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, pas caktimit të Radomir Laban si gjyqtar raportues në këtë rast.


Mustafa pyet VV-në: A është e kapur Kushtetuesja nga opozita

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në lidhje me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita.

Përmes një postimi në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

“A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.


Kurti në kërkesën dërguar në Kushtetuese: Presidentja i takoi partitë për datën e zgjedhjeve, rreziku është i menjëhershëm dhe real

Kryeministri, Albin Kurti pretendon se presidentja Vjosa Osmani bëri “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.

Ai i kërkoi gjykatës që të vendoste sa më shpejt masën e përkohshme, pasi, siç shkruan ai, zhvillimet tutje do të kishin ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

Kurti shkruan në kërkesë se vendosja e masës së përkohshme imponohej edhe prej faktit se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: “Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shkruan ai në kërkesën dërguar Gjykatës.

Kurti thotë aty se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që ajo t’i shpallte zgjedhjet e reja.

“Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real. Ai konsiston në krijimin e një situate faktike që, edhe në rast të konstatimit të mëvonshëm të antikushtetutshmërisë nga Gjykata, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme juridike”, shkruan Kurti në kërkesë.

Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ia ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.


Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.

“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

Osmani e shpërndau Kuvendin përmes një dekreti të premten.

Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, mbajti konferencë po të premten, ku e cilësoi dekretin si jokushtetues dhe njoftoi se do t’i drejtohen Kushtetueses.

Në Kushtetuese është dorëzuar edhe një lëndë tjetër, ajo mbi procedurat për zgjedhjen e Presidentit.

Back to top button