Osmani: Kurti u zotua se do përkrahte kandidaturën time, më tha se je Presidentja më e mirë e shekullit 21

(Lajm i përditësuar)
A do të rikthehet Osmani në LDK, ja qëndrimi i saj
Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur rreth të ardhmes së saj pas datës 4 prill kur përfundon mandati i saj si presidente.
Gjatë një interviste në Syri TV, Osmani nuk pohoi e as mohoi se do të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, transmeton kp.
“Do të bëjë atë që është në inertes të qytetarëve të Kosovës. E keni si opsion rikthimin në LDK? Do ta shoh se cili do të jetë interesi më i madh i Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme. Siç e përmenda ne derisa po zhvillojmë këtë intervistë, erdhi vendimi për masë të përkohshme ajo jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat, dhe përfundimisht gjykata do ta merr vendimin e vet. Unë do të kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do ta bëj një vlerësim të ri konkret në interes të Kosovës, do ta marr vendimin për rrugën përpara”, tha ajo.
Osmani, ka komentuar dekretin e saj që është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se për këtë arsye ekziston ky institucion.
Vjosa Osmani: Kurti u zotua se do përkrahte kandidaturën time, më tha se je Presidentja më e mirë e shekullit 21
Vjosa Osmani tha se Albin Kurti është zotuar “që ne do vazhdojmë bashkë si ky binomi që i dha shpresë Kosovës, duke e vlerësuar punën time deri në superlativ, duke thënë je presidentja më e mirë e shekullit 21”, shpalosi detaje Osmani nga takimet me Kurtin.
Osmani tha se edhe para edhe pas zgjedhjeve i ka pas këto vlerësime Kurti për të.
“Ka qenë vetë zotimi i kryeministrit Kurti që do më përkrahte në një kauzë të tillë e cila është në interes të Kosovës, duke e kualifikuar vetë që bashkimi ynë si binom është diçka për të cilën Republika jonë ka nevojë akoma…Po flas për diskutimet tona”, tha ajo në intervistën dhënë për “Syri TV”.
“14 shkurt 2021 ne morëm mbi 400 mijë vota bashkë dhe atëherë kryeministru u zgjodh kryeministër dhe me votat e përbashkëta që i morëm unë u zgjodha presidente dhe udhëhoqëm këtë vend së bashku…”, tha tutje Osmani.
Osmani: Po të propozohesha nga VV-ja si kandidate e vetme, do të rizgjidhesha presidente
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do të rizgjidhej presidente. Vetëvendosje e kishte propozuar Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Osmani i refuzoi ato.
Osmani në intervistë për “Syri TV” tha se ka pasur edhe përkrahjen e deputetëve të opozitës, sidomos të atyre nga LDK-ja.
“Pastaj pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, tha Osmani.
Ajo tha se kur ishte qartësuar se mund të ketë shanse të mëdha të rizgjidhej, nga VV-ja erdhi vlerësim i ri, e personalisht nga Kurti, se nuk do ta mbështesë kandidaturën.
“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do të jenë aty, sepse e dini që LDK-ja ka thënë se s’ka pasur qëndrim refuzues për mua dhe ka pasur parti të tjera që fare nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im, por kur u qartësua që unë kam shanse të zgjidhem, nga LVV-ja erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai personalisht (Kurti) se nuk e mbështetë kandidaturën time”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se Kurtit ia ka besuar plotësisht dialogun Kosovë – Serbi.
“Tradicionalisht dhe me Kushtetutë, presidenti merret me politikën e jashtme. Unë kryeministrit Kurti ia kam besuar plotësisht dialogun. Jam presidentja e parë dhe e vetme që nuk kam dërguar përfaqësues në dialog. Presidenti Thaçi e ka pasur përfaqësuesin e tij në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë edhe presidentja Jahjaga ka pasur përfaqësuesin e saj në dialog”, tha Osmani.
Ajo tha se për shumë marrëveshje e kishte kuptuar në media.
“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, përkundër faktit që për shumë marrëveshje e kam kuptuar nga mediat, përkundër faktit që për shumë gjëra është pajtuar atje e ka ditur që unë nuk pajtohem, edhe për nenin 7 të marrëveshjes së Brukselit edhe për aneksin e Ohrit edhe për statutin e asociacionit, e ka ditur qëndrimin tim. Unë nuk i kam ndërhyrë asnjëherë”, tha Osmani.
Osmani për dekretin: Nuk jam pejgamber që të mos bëj gabime
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar dekretin e saj që është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se për këtë arsye ekziston ky institucion.
Në një intervistë në Syri TV, Osmani tha se nuk pretendon të jetë e pagabueshme.
“Unë nuk jam pejgamber që të mos bëj asnjëherë në jetë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ajo.
Osmani shtoi se, sipas saj, gjatë viteve të fundit ka pasur raste të shumta kur Kushtetuta është shkelur nga institucione të ndryshme.
“Edhe për presidentë paraprakë, edhe për kuvendin, edhe për këtë kryeministër, ka dhjetëra herë që e kanë shkelur Kushtetutën. Përderisa unë jam e bindur vetëm duke u bazuar në interesin publik e kam marrë këtë vendim”, theksoi presidentja.
Osmani ka përsëritur që nuk ka pasur ndonjë interes personal e as nervozizëm të momentit kur e nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Ishte e qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dashur kandidaturën time dhe unë e kam pranuar. Nuk ka nervozizëm të momentit. Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh sepse do të kisha pasur kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka thënë presidentja Osmani.
Gjykata Kushtetuese sot bëri të ditur se vendimi lidhur me dekretin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të merret pasi të përfundojë shqyrtimi i plotë i të gjitha çështjeve kushtetuese që lidhen me rastin në fjalë.
Kështu, Kushtetuesja vendos masë ndaj dekretit të Presidentes deri më 31 mars.