Statusi kërcënues për presidenten Osmani, Halil Geci intervistohet nga Krimet e Rënda

Halil Geci është intervistuar sot nga hetuesit e Krimeve të Rënda, lidhur me dyshimet për kanosje ndaj Presidentes Osmani.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Gecit, Gazmend Halilaj.

Ai ka shkruar se rasti është i paprecedent dhe se në asnjë shtet demokratik nuk ndodh që presidenti të merret me postime të qytetarëve.

“Miq të dashur, pas disa orësh në Krime të Rënda, u lirua Baci Lilë. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që Presidenti i shtetit të merret me statuse të qytetarëve, kur të drejtat e shprehjes së mendimit të lirë janë të garantuara me Konventën Europiane dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani-Sadriu, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kishte bërë të ditur Prokuroria.

Presidenca ditën e djeshme, dënoi “gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Osmani”.

“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike”, thuhej mes tjerash në reagim.

Geci më pas e kishte modifikuar postimin e tij publik duke e hequr fjalinë ku përdorej fjala “pushkatim”.

Back to top button