Osmani pret në takim dy zyrtarë të lartë të NATO’s

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Sven Lange, si dhe Ud. Shefen e Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, Divizioni i Operacioneve në Selinë e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.
Sipas njoftimit të bërë nga Presidenca, Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
“Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s”, thuhet në njoftim.
Në fund thuhet se Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.