​Takimi Kusari-Lila- Almqvist, Irlanda mbështet përparimin e agjendës evropiane të Kosovës

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Irlandës për Republikën e Kosovës, Ragnar Almqvist, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e Irlandës për Kosovën.

Gjatë takimit u konfirmua mbështetja e vazhdueshme e Irlandës për aspiratat e Kosovës dhe për avancimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të Presidencës së ardhshme të Irlandës në BE, që pritet të fillojë në korrik të këtij viti.

Ambasadori Almqvist theksoi se Irlanda do të vazhdojë të mbështesë përparimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e zonave industriale në Kosovë, duke u bazuar në përvojën e Irlandës në këtë fushë, si dhe për mundësinë që ekspertë irlandezë të vizitojnë Kosovën për të ndarë përvojën e tyre në krijimin dhe zhvillimin e zonave industriale të gjelbra.

Po ashtu, palët biseduan edhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve irlandezë në Kosovë, si një hap drejt zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Si gjithmonë, shpreha mirënjohjen time të thellë për Irlandën, si një mike dhe mbështetëse e rëndësishme e Republikës sonë”, ka vlerësuar ministrja Kusari-Lila.

Back to top button