Tahiri: Kurti e din që përgjegjësia kryesore për bllokadë është e tij

(Lajm i përditësuar)
“Si me u bërë bashkë opozita?” Tahiri: Kurti vazhdon me prodhu krizë pas krize, paranoj pas paranoje
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri në ”Click” të RTV21 ka komentuar mungesën e një strategjie të përbashkët opozitare përballë krizave politike në Kosovo.
“Nuk kemi strategji të përbashkët të veprimit sepse Albin Kurti vazhdon me prodhu krizë pas krize, paranojë pas paranoje, që lidhet me institucionet. Si me u bërë bashkë ne?” tha Tahiri.
Tutje ai shtoi se do të ishte e dëshirueshme që opozita të bashkohej: “Mirë kish me qene që opozita me u bashkë, une mendoj që duhet me u bo një front serioz,” tha Tahiri, duke theksuar nevojën për një koordinim më të fortë opozitar për të përballuar sfidat politike në vend.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po shmang zgjedhjet për shkak të situatës aktuale politike në Kosovo.
“Kurti po i frigohet zgjedhjeve për shkak se po e sheh që fuqia e presidentes Vjosa Osmani ka qenë bukur e madhe, po e sheh se opozita nuk është dorëzuar, po sheh se opozita mundet me u ribashkua, dhe e din që përgjegjësia kryesore për bllokadë është e tij,” tha Tahiri.
Ai shtoi se kjo situatë tregon tensionin në mes të ekzekutivit dhe institucioneve të tjera, si dhe nevojën për dialog dhe bashkëpunim për të shmangur krizën politike dhe për të siguruar funksionim normal të shtetit.
Tahiri: Edhe në politikë, si në dasmë, duhet me i thirr ata që nuk i ke qejf
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar vizitat dhe takimet ndërkombëtare, duke theksuar se rëndësi kanë marrëdhëniet bilaterale dhe veprimet konkrete, jo fotot apo deklaratat e ndonjë lideri të huaj.
“Nuk ka vakt Trump me u marrë me neve. Bordi i paqes, kemi qenë pjesëmarrës, kanë bërë fotografi. Nuk është e drejtë që me pru diskursin e komunikimit publik në atë pikë që Trump do të tregojë se kush do të zgjidhet president, sepse ata i kanë problemet e veta dhe nuk merren me këtë pjesë,” tha Tahiri.
Ai shtoi se edhe SHBA-ja dhe BE-ja, në mënyrë të sinkronizuar, e kanë vendosur Kosovën në një situatë ku komunikimi me Qeverinë ishte minimal, dhe rolin e përfaqësuesit e ka marrë presidentja. “Trego produktin, mos ma trego që je dalë në fotografi me të; me këtë po i qesin hi syve,” tha Tahiri, duke theksuar rëndësinë e veprimit dhe marrëveshjeve konkrete.
Tahiri gjithashtu bëri paralelizmin me situata formale të tjera, duke thënë se ”edhe në një dasmë duhet të thërrasësh njerëz që nuk ki qef”, dhe kështu edhe në takimet rajonale, si ato të Ballkanit Perëndimor, duhet të ketë përfaqësim korrekt: “Kur thirret Ballkani Perëndimor, thirren Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia. Të gjithë mundohen me dalë me një foto me dorë duke buzëqeshur,” tha Tahiri, duke nënvizuar se simbolika nuk zëvendëson marrëveshjet dhe bashkëpunimin real.
Tahiri: I kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së për një kandidat të përbashkët për president
Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në ‘Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit.
Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita.
“Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri.
Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim.
Tahiri: Pasha Zotin marre më kish ardh, me ‘kokall’ duhet me i lyp personat adekuat për president
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur për emrat e përmendur së fundmi si kandidatë të mundshëm për postin e presidentit, duke theksuar se kjo pozitë kërkon kualitete dhe profil të veçantë.
Duke komentuar edhe për emra që janë përmendur në publik, përfshirë Andin Hoti, Tahiri tha se posti i presidentit duhet të mbushet nga një figurë që i plotëson standardet e nevojshme për këtë funksion.
“Pasha Zotin, marre më kish ardh. Pozita e presidentit i don disa kualitete, të cilat me ‘kokall’ duhet me i lyp, sepse janë profile që janë për president,” u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me kujdes.
Tahiri: Kurti nuk e ka ftuar AAK-në asnjëherë në takim
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë ftuar asnjëherë AAK-në në takim për çështje politike, përfshirë diskutimet rreth presidentit.
Sipas Tahirit, mungesa e një ftese për AAK-në ka ndikuar në përçarjen e opozitës, duke krijuar ndarje mes partive opozitare.
“Kurti dhe Vetëvendosje asnjëherë nuk na kanë ftuar në takim. Duke mos e ftuar AAK-në, në një formë e ka ndarë opozitën në dy copa, por në një mënyrë e ka lënë edhe të bashkuar,” u shpreh Tahiri.
Ai theksoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm për bashkëbisedim ndërpartiak me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen konsensuale të presidentit.
Tahiri: Kriza politike lidhet me pangopshmërinë e Kurtit për pushtet
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se kriza aktuale politike në vend lidhet me qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj pushtetit.
Tahiri tha se situata politike është rezultat i, siç u shpreh ai, “pangopshmërisë për pushtet, autoritet dhe autokraci” nga ana e Kurtit.
Tahiri gjithashtu pranoi se votimi kundër Albulena Haxhiu ishte një gabim nga ana e tyre, duke theksuar se ajo më pas mori mbështetje të madhe në zgjedhje.
Sipas tij, është e drejtë e Kurtit që të rrisë numrin e ministrive dhe të formojë qeverinë, pasi qytetarët i kanë dhënë besimin për këtë. Megjithatë, Tahiri theksoi se ky mandat nuk nënkupton edhe mbështetje për postin e presidentit.
“Është e drejtë e Kurtit të rrisë ministritë, sepse populli ia ka dhënë besimin për ta bërë qeverinë, por populli nuk i ka dhënë besim për president,” u shpreh Tahiri.
Tahiri: Vendimi i presidentes Osmani është kushtetues
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se vendimi i presidentes Vjosa Osmani lidhur me dekretin për shperndarjen e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën.
Tahiri theksoi se reagimi i Presidentes Osmanit është kushtetues.
“Ne mendojmë që vendimi i Osmanit për dekretin është kushtetues dhe në rast se nuk do të reagonte Osmani, atëherë do të kishte shkelje të Kushtetutës,” u shpreh Tahiri./RTV21/21Media