512 kg drogë dhe armë të rënda, Prokuroria kërkon paraburgim për 46 vjeçarin

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46 vjeç nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, lidhur me këtë rast, më 16.09.2025 është realizuar një aksion i përbashkët me Policinë e Kosovës, ku në një objekt (shtallë) në fshatin Maqitevë është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e madhe narkotikësh të llojit marihuanë (kanabis sativa), në total 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe armë dhe pajisje të ndryshme, përfshirë një granatëhedhës, një raketë krahu, një pushkë gjuetie, municion, si dhe mjete pune të përdorura për kultivim dhe përpunim. Po ashtu janë konfiskuar edhe dy telefona celularë dhe prova të tjera materiale.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë sekuestruar përkohësisht edhe dy parcela toke me sipërfaqe 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat “Kultivimi i bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I njëjti ndodhet në ndalim 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Hetimet për rastin janë në vazhdim.