Fondi i Natasha Kandic për ekspoziten : Serbia vrau civilë, jo njerëz të armatosur në Dubravë dhe Meje

Organizata që drejton Natasha Kandiq, e cila ka edhe një seli në Kosovë, kanë reaguar lidhur me ekspozitën që është bërë në Kosovë rreth masakrave të ndodhura gjatë viteve 1998-1999.
Sipas komunikatës, thuhet se të dhënat në këtë ekspozitë në disa raste paraqesin pasqyrë të pasaktë dhe se kjo nuk është çështje e interpretimit por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe leximin e të dhënave të Fondit për të drejtën Humanitare.
Në komunikatë flitet specifikisht për Masakrën e Dubravës, duke thënë se aty s’janë vrarë persona të armatosur siç paraqitet në ekspozitën e Shklëzen Gashit.
”Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes“, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se i njejti gabim është bërë edhe me rasitn e Masakrës së Mejës.
Organizata e Kandiq thotë se “Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë.Baza e të dhënave FHP dhe FHPK, e cila dokumenton më shumë se 8.500 viktima civile shqiptare të krimeve të luftës, është vlerësuar në një evaluim të pavarur të vitit 2015 si baza më e plotë dhe më e besueshme e këtij lloji. Evaluimi është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Patrick Ball dhe profesorin britanik Michael Spagat”, thekson reagimi.
Gjithashtu, organizata e Kandiq thotë se duhet rikujtuar se edhe libri i Shkëlzen Gashit ka pasaktësi të mëdha.
“Duhet rikujtuar gjithashtu se të njëjtët autorë para dy vitesh kanë botuar librin “Masakrat në Kosovë”, i cili përmban shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë. I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave”, përfundon komunikata.