Merret vendimi për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza

Kryeministri i Albin Kurti ka deklaruar se vendi është i gatshëm të kontribuojë në misione ndërkombëtare në Gaza, si pjesë e një force stabilizuese me karakter ndërkombëtar.
Ai rikujtoi se në fund të janarit 2025, qeveria ka ndarë 500 mijë euro për popullin palestinez në Gaza, si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje humanitare.
“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese ndërkombëtare për popullin e Gazës, edhe për faktin se ne vetë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi përfitues të pranisë së forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”, ka deklaruar Kurti.
Tutje Kurti tha se gjatë vitit të kaluar, ministri Ejup Maqedonci dhe komandanti Bashkim Jashari kishin kërkuar leje për të marrë pjesë në një konferencë në Doha të Katarit, e cila kishte në fokus krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese për Gazën.
Ai vlerësoi lart kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se ajo ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar në fusha të rëndësishme si kërkim-shpëtimi dhe deminimi, si dhe në operacione të tjera të sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë mbledhjes së qeverisë, theksoi se dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshinë pjesëmarrjen e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare të stabilizimit.
“Ajo ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës, për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, u shpreh Maqedonci.