Më 1 prill mbahet konferenca përgatitore në rastin ndaj Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është vendosur që më 1 prill 2026 të mbahet konferenca përgatitore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin në të cilin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe nga seancat e rregullta, kjo konferencë pritet të mbahet nga ora 14:00 deri në orën 17:30, duke pasur parasysh edhe 45 minuta vonesë në transmetim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, mbrojtja e Thaçit, Kilajt dhe Fazliut kanë dorëzuar njoftimet e tyre se a do të kenë prova në këtë çështje.

Rrjedhimisht, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se do të paraqesin prova, ndërsa ajo e Fazliut tha se nuk do e bejë një gjë të tillë. Mirëpo, Fazliu ka rezervuar të drejtën që përmes mbrojtjes të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse në këtë rast.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Back to top button