Prokuroria nis hetimet ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinë për shembjen e dheut

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda — Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, njofton se sot ka inicuar një rast ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës për të verifikuar nëse veprimet ose mosveprimet e tyre përbëjnë elemente të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave shtesë lidhur me shembjen e dheut në rrugën ‘Don Shtjefën Kurti’,” thuhet në njoftimin ze Prokurorisë.
Prokuroria shton se hetimi synon të vlerësojë përgjegjësitë penale dhe se do të veprojë brenda kornizës ligjore për të sqaruar shkaqet dhe përgjegjësitë e ngjarjes. “Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore dhe forcimin e sundimit të ligjit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe interesit publik,” theksohet në komunikatë.
Komuna e Prishtinës pritet të jepë shpjegime dhe dokumentacion lidhur me punimet dhe masat e ndërmarra në zonë. Hetimet vazhdojnë dhe Prokuroria paralajmëron se do të njoftojë publikun për zhvillimet e mëtejshme.