Shembja e dheut, KOSTT rikthen furnizimi me energji elektrike

Kompania Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se është rikthyer furnizimi me energji elektrike në zonat e prekura, pas dëmeve të shkaktuara nga shembja e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë

Sipas KOSTT-it, rikthimi i energjisë është bërë përmes një zgjidhjeje të përkohshme, pas angazhimit intensiv dhe punës së pandërprerë të ekipeve në terren. Ndërkohë, ekipet po vazhdojnë punën për të garantuar sigurinë e furnizimit për Nënstacionin Prishtina 6.

KOSTT ka bërë të ditur se dëmet e konsiderueshme të shkaktuara nga shembja e dheut kanë kërkuar masa të shtuara sigurie, derisa punimet në fazën fillestare janë zhvilluar në mënyrë të kontrolluar dhe të kufizuar, në përputhje me standardet përkatëse.

Në fund të njoftimit, KOSTT ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e ekipeve të saj dhe ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë ndërprerjes së furnizimit.

Kujtojmë se një pjesë e konsumatorëve në kryeqytet ka mbetur pa furnizim me energji elektrike si pasojë e shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”. Sipas KOSTT, rrjeti transmetues në nivelin 110 kV është prekur nga ky rast, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me energji për konsumatorët që varen nga nënstacioni Prishtina 6. Dëme është shkaktuar edhe me furnizimin me ujë.

 

Back to top button