Me autorizim të Prokurorisë Speciale, bastiset banesa e Shkëlzen Gashit

Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ka kryer bastisje në banesën e Shkëlzen Gashit, për të grumbulluar informata dhe prova të nevojshme lidhur me dyshimin se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, për paraqitjen e informatave të pasakta në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
“Sipas provave materiale dhe raportimeve të publikuara në media nga ana e të dëmtuarve në masakrën e Dubravës, dhe masakrat tjera të ndodhura në Kosovë, e po ashtu edhe nga raportimet e qytetarëve, të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe viktima të këtyre masakrave, Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mos durim mes qytetarëve tanë dhe duke dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, e që konsiderohet se me këto veprime i dyshuari ka përmbushur elementet e veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 të KPK-së”, thuhet në autorizimin e Prokurorisë të cilin e ka publikuar aktivisti Rron Gjinovci.
Në autorizim, kërkohet të sigurohet prezenca e Gashit, i cili do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit duke sqaruar veprimet e tij dhe nga i ka siguruar burimet e informatave të cilat i ka publikuar, e të cilat rezultojnë me pasaktësi.
Gjithashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se pas mbledhjes së informatave dhe provave relevante, dhe pas analizimit të tyre, Policia autorizohet që në konsultim me prokurorin e rastit të merren në pyetje dëshmitarë potencial, i dëmtuari, si dhe të dyshuar të tjerë, e po ashtu të ndërmerren edhe veprime tjera me qëllim të hetimit të suksesshëm të rastit.
Sipas dokumentit, prokuror i rastit është Bekim Kodraliu.
“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria Speciale se a ka përfunduar bastisja dhe nëse është shoqëruar Gashi për intervistim, por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, organizatat përgjegjëse për ekspozitën për masakrat, Integra dhe Admovere kanë kërkuar falje pas reagimeve dhe kritikave për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave në Kosovë nga lufta e fundit, duke thënë se qëllimi i vetëm i ekspozitës ishte nderimi i viktimave civile të luftës dhe të kontribohet në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.
Për shkak të mosverifikimit të fakteve apo informacioneve të paraqitura në ekspozitë, Komuna e Prishtinës pezulloi lejen.
Gjithashtu, reagim për këtë ekspozitë pati edhe nga Kuvendi i Kosovës që është financues i këtij projekti.
“Sqarim për media: Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj. Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm. Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës”, kishte reaguar Kuvendi në Facebook.
Edhe OJQ “Integra” fillimisht reagoi në Facebook duke thënë se Kosova nuk ka listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.
“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë…”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OJQ “Integra”.
Të shtunën, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se si këshilltarja politike e Albulena Haxhiut, Berita Abazi, ka marrë 2 mijë e 851 euro nga OJQ “Integra”, OJQ kjo e cila ishte bashkëhartuese e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të cilës ju pezullua leja nga Komuna e Prishtinës.
“Betimi për Drejtësi” po ashtu raportoi se Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2025 kishte blerë 500 copë libra “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me qëllim të shpërndarjes përmes misioneve diplomatike të Kosovës.
Në anën tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës është marrë në Kryesinë e Kuvendit, në përputhje të plotë me Rregulloren për subvencionim. Ajo ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke theksuar se si kryetare ndjen obligim institucional dhe moral për këtë çështje.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte paralajmëruar se po e trajton ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe po analizon nëse ajo përmban elemente të përgjegjësisë penale.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të hënën organizoi protestë me të cilën u kërkua përgjegjë për ekspozitën në sheshet e Prishtinës, e cila paraqiti pasaktësi për masakrat në Kosovë.